Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, duke folur për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ajo ka një implikim jashtëzakonisht të mirë për të gjithë në rajon.

“Arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka një implikim jashtëzakonisht të mirë për të gjithë në rajon. E kuptoj se është kjo çështje në mes të dy shteteve dhe ne nuk kemi ambicie që të hyjmë aty dhe të përzihemi, as nuk na takon”, është shprehur ai në emisionin Rubikon, në televizionin Klan Kosova.

Po ashtu, Abazoviq ka thënë se do të ishte shumë mirë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

“Vetëm si dikush që është me të vërtetë mik, vëlla, si dikush që e donë të mirë, mendoj që kishte qenë shumë mirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Ajo kishte me qenë shumë bust i madh për të gjithë”, ka thënë tutje ai.

Ndër të tjera, ai i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në prag të zgjedhjeve në Mal të Zi, kishte thënë se nëse do të fitonte kundërkandidati i presidentit që ishte atëherë, ai ishte shprehur se besonte që do të “hapej rruga për zhdukjen e kombit malazes, konkretisht”.

E në lidhje me këtë Abazoviq, ka thënë se kombi malazez jo vetëm që nuk zhduket, por do të jetë edhe më i fuqishëm, përcjell Klankosova.tv.

“Unë kam respekt për kryeministrin e Kosovës dhe respektoj mendimin e çdokujt. Mendoj se Mali i Zi është shumë shtet më i organizuar dhe më i fuqishëm sesa mendoj që dikush mundet me zgjedhje të thjeshta me ndryshu dhe gjithashtu mendoj se kombi malazez jo se nuk do të zhduket, por do të jetë më i fuqishëm kur t’i ketë institucionet shumë më të mira dhe të relaksuara dhe të fshirë prej atyre njerëzve që kanë të bëjnë me korrupsion”.

“Nuk kisha pas qejf të hy më shumë në detaje, çdo kush e ka mendimin e vet, ndoshta kjo vizitë e imja e Kosovës dhe takimi që do të kem me kryeministrin është një mundësi e mirë t’i tregojë popullit të Kosovës që dyert e Malit të Zi janë shumë të hapura për të gjithë nga Kosova dhe asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrë të keqe, por përkundrazi vet keni me qenë në gjendje ta shihni se si është atmosfera në Mal të Zi, kur të vini si çdo vit në mënyrë masive gjatë sezonit turistik”, është shprehur tutje ai.

Gjithashtu, Abazoviq ka njoftuar se të premten do ta takojë kryeministrin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.