Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka folur për marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se ai e sheh si një bazë të mirë për normalizimin marrëdhënieve në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Më tutje, ai ka thënë se Mali i Zi e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë e shoh si një bazë të mirë për të ardhur deri të një marrëveshje përfundimtare [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]. Ne jemi shumë të interesuar që më në fund kjo çështje të zgjidhet, normalisht nuk jemi shtet që kemi mundësi për të ndihmuar apo për të thënë se çka duhet për të bërë cili subjekt, por kishim pasur shumë dëshirë që të përfundohet kjo çështje dhe të normalizohen të gjitha raporte në rajon [Ballkanin Perëndimor], kjo është edhe interesi jonë si shtet, edhe ne jemi shteti më i vogël në rajon deh, çdoherë që ka diçka negative ajo ka ndikim dhe të ne, dhe çdoherë kur kemi lajme të mira në rajon, ajo ka implikim pozitiv në Mal të Zi”, ka thënë Abzoviq.

Ndërsa, ai ka folur edhe për statutin e Kishës Serbe në Kosovë, ku i ka bërë thirrje liderëve kosovarë ta marrin shembull Malin e Zi.

“Merrni shembullin e Malit të Zi, si me një nënshkrim gjërat që nuk kanë mundur për 30 vjet të zgjidhen, zgjidhen me një nënshkrim. Të drejtën që e duam për veti duhet me jep dhe të tjerëve në mënyrë të barabartë. Çdokush të shkojë në Kishë, Xhami, Sinagogë, ku të dëshirojnë dhe kush nuk është fetar dhe ai t’i zbatojë të drejta e veta”, ka deklaruar ai për RTV Dukagjinin.