Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas ndërprerjes së seancës konstituive nga kryesuesi Avni Dehari, e ka cilësuar këtë veprim si një uzurpim të Kuvendit dhe një shkelje të rëndë kushtetuese nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Abdixhiku tha se deputetët e LDK-së qëndruan në sallë edhe pasi u ndërpre seanca dhe kërkuan të flasin, duke shtuar se kjo është një përpjekje për të rifilluar diskutimet parlamentare, pas siç u shpreh ai, “uzurpimit antikushtetues që po i bëhet Kuvendit nga partia e parë”.

“Sot qëndruam në sallë. Deputetja Bajrami mbajti fjalë. Kjo fjalë nuk mund t’i ndalej siç iu ndal më herët deputetit Zogaj. Le të jetë ky një fillim i diskutimeve të vërteta parlamentare. Ata le të ikin, ne le të flasim”, tha Abdixhiku.

Ai tha se Vetëvendosja se po dështon vazhdimisht të krijojë shumicën parlamentare.

“Sot, sërish, partia e parë vendosi me arrogancë të injorojë rendin e ditës – atë rend që e kishim dakorduar të gjitha partitë politike paraprakisht me kryetarin e mëparshëm, Glauk Konjufca. Tani, rendi po ndryshohet njëanshëm, pa dakordim dhe në kundërshtim me çdo normë”, deklaroi ai.

Më tej, Abdixhiku theksoi se bllokimi i Kuvendit është kthyer jo vetëm në krizë politike, por edhe në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit penal.