Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qëndrimi i LDK-së rreth procesit të dialogut është se dialogu duhet të përmbyllet me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qëndrimi i LDK-së për procesin e dialogut është që duhet të ketë marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”.

“Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e ndërkombëtarisht e obligueshme dhe duhet të përmbajë aktin kur Serbia e njeh Kosovën, dhe kur Kosova ndërsjellazi e njeh Serbinë. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”, ka thënë kryetari Abdixhiku.

Ndërkohë ai ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës.

“Me veprimet e pamatura, pa qenë i koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me aleatë, Kryeministri e ka larguar Kosovën nga ky synim. Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arrtijen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Nuk flitet për njohje të ndërsjellë dhe nuk flitet për një marrëveshje përfundimtare. Tani flitet për marrëveshje bazë që nuk e ka njohjen reciproke”, ka thënë Abdixhiku.

Ai po ashtu ka theksuar se “përveç kryeministrit Kurti, askush nuk e di se çka po diskutohet. Nuk dihet çka përmban hyrja e marrëveshjes dhe as shtojca e kësaj marrëveshje. Tema të tilla duhet të trajtohen me përgjegjësi dhe nga kryeministri do të kërkohet përgjegjësi”.