Abdixhiku e refuzoi, Kurti pritet ta takojë vetëm Krasniqin
Këtë të enjte në orën 08:30 pritet të mbahet takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ftesa e Kurtit për takim është dërguar edhe për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, mirëpo kjo […]
Këtë të enjte në orën 08:30 pritet të mbahet takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ftesa e Kurtit për takim është dërguar edhe për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, mirëpo kjo parti e ka refuzuar pjesëmarrjen, duke e cilësuar procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve si të garantuar me Kushtetutë dhe jashtë çdo diskutimi politik.
Takimi i së enjtes vjen pak orë para vazhdimit të nëntë të seancës konstituive të Kuvendit, që ka dështuar tetë herë deri tani për shkak të mungesës së votave për kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare, Albulena Haxhiu.
Krasniqi ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim, duke theksuar se PDK do të sillet me përgjegjësi institucionale dhe me shpresën se Kurti do të reflektojë për të mundësuar krijimin e institucioneve të reja.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar për Dukagjinin se pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon kësaj partie është e garantuar me rezultat zgjedhor dhe nuk është objekt i diskutimit me asnjë subjekt tjetër.
Kosova ka mbetur pa institucione funksionale gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si pasojë e mospajtimeve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Vetëvendosje ka 48 deputetë dhe nuk ka arritur deri tani të sigurojë shumicën prej 61 votash për Haxhiun, që konsiderohet figurë përçarëse nga PDK-ja dhe AAK-ja, ndërsa LDK refuzon të mbështesë çfarëdo kandidature nga kjo parti.















