Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë bëri të ditur se në zgjedhjet e 7 qershorit garojnë bashkë me ish-presidenten, Vjosa Osmani, e cila do të jetë bartëse e listës.
Abdixhiku, mes tjerash, bëri të ditur se në zgjedhjet e parakohshme garojnë për kryeministër dhe për president teksa shtoi se kandidat për kryeministër është vetë ai ndërsa për presidente, Vjosa Osmani, njofton Dukagjini.
Mes tjerash, Abdixhiku u zotua se do të bëjë bashkë të gjithë LDK-në teksa u bëri thirrje të gjithë njerëzve që t’i bashkohen duke thënë se ‘dyert e LDK-së janë gjithmonë të hapura’.
“Propozimin tim për një listë bashkuese. Një listë që nuk ngërthehet mbi rehatinë politike, por mbi përgjegjësinë shtetërore. Një listë që nuk synon vetëm rezultat zgjedhor, por kthim tek ekuilibrit politik dhe institucional në Republikën e Kosovës. Në këtë propozim timin kam propozuar garën të përbashkët për President të Republikës dhe për Kryeministër të Republikës. Kam propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të garojë me Presidenten Vjosa Osmani si kandidate për Presidente të Republikës… edhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore, dhe me mua kryetarin e LDK-së si kandidat i LDK-së për Kryeministër të Republikës”, deklaroi Abdixhiku.