Videos së Lëvizjes Vetëvendosje ku akuzoheshin partitë opozitare, i është kundërpërgjigjur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai, përmes një video-adresimi, ka thënë se “teksa po hyjmë në vitin e tretë të Qeverisë, është koha t’i numërojmë të gjitha mashtrime e mëdha të pushtetit”.

Ai ka thënë se VV-ja i ka thyer vetë premtimet e saj, sipas tij, për shkak të paaftësisë, “arrogancës e ngarkesës me të shkuarën”.

Abdixhiku i ka renditur premtimet, të cilat, sipas tij, partia në pushtet nuk është duke i realizuar.

Ai e ka përmendur premtimin për ndërtimin e çerdheve të reja, si dhe premtimin për ndërtimin e 4 mijë banesave për çifte të reja.

“Premtuan ndërtimin e 160 e çerdheve në Kosovë për të ngritur edukimin e fëmijëve tanë; por në prag të vitit të tretë nuk është ndërtuar asnjë. Premtuan ndërtimin e 4 mijë banesave për çifte të reja me 120 euro këst mujor, por sot dy vite pas, nuk kemi as gurthemel për to”, ka thënë ai.

Po ashtu, Abdixhiku e ka përmendur edhe rritjen e tatimit në pronë, si dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë.

“Në krizën më të madhe të vendit, rritën tatimin në pronë. Premtuan përballueshmëri të kostos së jetesës për të varfërit e për shtresën e mesme, por pëgjatë dy viteve të shkuara, çmimet e produkteve bazike janë rritur 50%”, ka thënë ai.

Kryetari i LDK-së tha se përkundër që partia në pushtet premtoi sigurime shëndetësore, deri në vitin 2022 nuk e bëri këtë.

Ai foli edhe përmendi edhe mosinvestimin, sipas tij, në rrugët e Kosovës.

“Premtuan sigurime shëndetësore deri në vitin 2022, por sot spitalet tona i kemi pa penj, pa dorëza, pa infuzione e pa material higjienik. Premtuan përfundimin e rrugëve magjistrale në Kosovë, por rrugët për Mitrovicë, Pejë, Podujevë, Gjilan e Gjakovë, në dy vjet pushtet të plotë, nuk kanë marrë asnjë ndryshim”, ka thënë ai.

Abdixhiku tha se LVV-ja premtoi reciprocitet me Serbinë, por tash, sipas tij, Serbia është partneri kryesor i Kosovës në rajon.