Abdixhiku i reagon ashpër Kurtit: Nuk njeh parime, përçon urrejtje dhe izolon Republikën
Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për abuzim me pushtetin, mungesë të respektit ndaj institucioneve dhe degradim të kulturës politike në vend. Në një postim të gjatë në Facebook, Abdixhiku shkruan se Kurti është “një njeri që nuk i kupton […]
Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për abuzim me pushtetin, mungesë të respektit ndaj institucioneve dhe degradim të kulturës politike në vend.
Në një postim të gjatë në Facebook, Abdixhiku shkruan se Kurti është “një njeri që nuk i kupton parimet, as fjalën e dhënë”, duke e cilësuar sjelljen e tij politike si të dëmshme për shtetin dhe shoqërinë.
“Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkel Kushtetutën dhe mburret me këtë; që uzurpon institucionet dhe nuk respekton gjykatat e Republikës siç respekton ato në shtetin ku rrit familjen e vet”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së e akuzoi Kurtin për përçarje, manipulim dhe arrogancë politike, duke thënë se ai “ofendon qytetarët, izolon Republikën dhe humb të ardhmen e fëmijëve në këtë shtet.”
“Një njeri që nuk kupton bashkëpunimin, unitetin dhe afrimin si akt patriotik; që ndryshon pa mërzi çdo premtim publik, nuk mund ta kuptojë çka do të thotë parim në jetë”, shtoi Abdixhiku.
Në vijim të reagimit, ai theksoi se LDK-ja është e pathyeshme dhe e pavarur në rrugëtimin e saj politik, duke deklaruar se partia që ai udhëheq “nuk ndërtohet në prehërin e askujt”.
“LDK-në mund ta sulmoni, mund ta ofendoni, por vetëm kaq mund të bëni. LDK po ecën drejt, për vete dhe për Republikën që e krijoi vet. Sepse ishim, jemi dhe do të mbesim të vërtetë – krenarë dhe faqebardhë”, theksoi Abdixhiku, duke e mbyllur mesazhin me fjalët:
“LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! Dritë do të ketë!”















