Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe atyre të sigurisë që të njëjtat të veprojnë me përgjegjësi e pa kompromis ndaj rastit të vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë brenda oborrit të QKUK-së.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se tashmë, gjendja e tanishme nuk përbën një normale.

“Sërish një grua, në javën e fundit të shtatzënisë, bëhet viktimë e një krimi monstruoz. Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë. Fjalët tani humbin peshën. Asgjë çfarë themi sot nuk kthen prapa jetën e shuar të një gruaje të pambrojtur e jetën e pa nisur të një fëmije. Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtë të kësaj mbrëmje. Si pjesë e spektrit politik, ndjej obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë. Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot”, ka deklaruar Abdixhiku.

Krahas kësaj, ai ka theksuar se nevojitet një reagim kombëtar.

“Ka diçka thellësisht të tmerrshme brenda shoqërisë sonë; dhe ne nuk mund të sillemi në cikël të njëjtë reagimi; nga dhuna në reagim, deri në fatalitetin tjetër. Na duhet një veprim kombëtar, nga policia tek prokuroria e gjyqësia, nga edukimi e mbështetja kolektive, për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas drejt e në rrënjë. Kosova mundet më ndryshe. Shoqëria jonë duhet të jetë më ndryshe. Ftoj organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë me përgjegjësi e pa kompromis ndaj rastit të sotëm. Familjes, të afërmve e miqve, u shprehi ngushëllime. Kjo humbje jete, si çdo tjetër, është plagë që rëndon mbi të gjithë”, ka thënë Abdixhiku.

Gruaja shtatzënë e cila ka humbur jetën, është qëlluar me armë zjarri nga një person i cili dyshohet se është burri i saj. Kështu ka bërë të ditur një anëtar i stafit të QKUK-së për Radio Dukagjini.

Jetën e kanë humbur edhe gruaja edhe fëmija, dyshohet se vdekja e tyre ka qenë e menjëhershme.