Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook ka komentuar situatën politike në vend, duke shprehur shqetësimin për krizën institucionale që ka kapluar Kosovën pas zgjedhjeve të fundit.

Ai ka theksuar se vendi tashmë për të 15-tën herë radhazi po hyn në një seancë parlamentare pa rezultat, duke vazhduar kështu një krizë që nuk ka shenja të zgjidhjes.

Sipas Abdixhikut, qytetarët me të drejtë janë të frustruar që tre muaj pas zgjedhjeve, Kosova nuk ka as Kuvend funksional e as Qeveri.

Ai thekson se kriza nuk është vetëm në Kuvend, por e thelluar edhe në jetën e përditshme të qytetarëve, me çmime të larta, paga të ulëta dhe mungesë të projekteve madhore.

Në këtë kontekst, ai ka ripërsëritur propozimin e LDK-së për krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit me mandat të kufizuar, që do të kishte për detyrë përballimin e sfidave urgjente dhe përgatitjen e rrugës për zgjedhje të reja dhe zgjedhjen e Presidentit.

Abdixhiku ka kritikuar partinë fituese (Lëvizjen Vetëvendosje) që sipas tij, po dështon të kuptojë se nuk ka shumicë, dhe gjithashtu ka bërë thirrje për reflektim nga të gjitha palët politike.

Ai ka bërë të qartë se LDK-ja mbështet çdo përpjekje për zgjidhjen e krizës, përfshirë edhe takimin e thirrur nga Presidentja, por ka kërkuar që ai të shoqërohet me ide të reja e jo me përsëritje të pozicioneve të vjetra.