Abdixhiku kritikon qeverinë: Kosova është bërë peng i çmendurisë populliste
Kryetrari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vizitës së sekretarit të shtetit amerikan në Tiranë, Antony Blinken. “Vite më parë, një vizitë e tillë nuk do të ishte e mundur pa kapërcim në Prishtinë. Kosova, si destinacion ishte e natyrshme. Sot, në të njëjtën orë e në të njëjtën ditë në […]
Kryetrari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vizitës së sekretarit të shtetit amerikan në Tiranë, Antony Blinken.
“Vite më parë, një vizitë e tillë nuk do të ishte e mundur pa kapërcim në Prishtinë. Kosova, si destinacion ishte e natyrshme. Sot, në të njëjtën orë e në të njëjtën ditë në Kosovën e zymtë prej popullizmit, SHBA-të na flasin për raportet më të ulëta historike. Për lëkundje partneriteti e krizë komunikimi”, ka shkruar ai.
“Por Kosova, shteti ynë është bërë peng i çmendurisë populliste. I duartrokisin përplasjes. E nxisin delirin. Mburren me gjithë terrin politik që na shoqëron tash e tre vjet”, ka shtuar Abdixhiku.
Më tutje, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e qeverisin Kosovën dhe pritjet e tilla janë të gabuara.
“Nuk pres që Amerika të na bëjë qeveritë. Ata që kanë të tilla pritje – dhe sa kam kuptuar s’janë pak të tillë – nuk janë të destinuar për politikë. Kjo detyrë fisnike i takon vetëm popullit të Kosovës. Dhe te populli i Kosovës kam besimin e plotë që do të japë përgjigje këtë vit. Sepse, si vend, si shtet, si popull, kemi detyrim ta bëjmë Kosovën më mirë – ekonomikisht, politikisht dhe me miq! Paradoksalisht, po aq sa Shqipëria fillimisht”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, Abdixhiku ka thënë se është gëzuar për përparimin e Shqipërisë si “në ekonomi, kulturë, turizëm, sport e diplomaci. Po na ikin me hapa të mëdhenj. Po e bëjnë mençur, si vend i NATO-s dhe me partnerë!”.
“Sekretari Amerikan i Shtetit viziton Shqipërinë. Aty flet për numrin rekord të turistëve, për këngët e Duas, punën e Mira Muratit në ChatGPT, kualifikimin e Shqipërisë në Evropian e për partneritetin e jashtëzakonshëm në mes të dy shteteve mike”, ka përfunduar Abdixhiku.















