Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se përfshirja e presidentes në zgjidhjen e situatës aktuale është e domosdoshme.

Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja mbështet plotësisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën e votimit në Kuvend dhe krijimin e shumicës parlamentare, që sipas tij i takon partisë së parë.

“Ne mirëpresim ftesën e presidentes Osmani dhe përpjekjet e saj për takim. E dini qëndrimin tonë: kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që e sqaron qartë se të drejtën për të propozuar dhe krijuar shumicën e ka partia e parë. Tani jemi para rregullave ligjore dhe duhet të respektojmë këtë interpretim”, ka thënë ai.

Kreu i LDK-së ka theksuar nevojën për unitet dhe konsensus politik, duke rikujtuar se partia e tij tashmë ka propozuar edhe një qeveri uniteti, si një zgjidhje për tejkalimin e krizës.

“Aq shumë e duam unitetin, sa kemi dalë edhe me propozim për qeveri uniteti. Le të bëjnë zgjidhje, kjo i duhet vendit”, ka theksuar Abdixhiku.

Ai ka kritikuar  Qeverinë Kurti, duke vënë në dyshim legjitimitetin dhe moralin e saj politik në këtë fazë.

“Kryeministri Kurti është duke qeverisur me rezultatet e para katër vjetëve. Nuk ka më legjitimitet dhe as moral politik. Si mund të mbash një detyrë kur nuk të do populli?”, ka theksuar ai.