Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lumir Abdixhiku, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka krahasuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me Don Kishotin.

Abdixhiku u shpreh se sipas tij Kurti cdo ditë zgjohet në mëngjes në botën që e ka krijuar vetë dhe krijon kundërshtar, njofton Dukagjini.

“Sot dua t’i drejtohem kësaj salle me një pamje shumë të thjeshtë, por fatkeqësisht shumë domethënëse, atë të Don Kishotit, jo si figurë e letërsisë, por si metaforë politike. Shteti ynë, shoqëria jonë, ka një kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh veç Albin Kurti. Për ju të pushtetit që bërtisni teksa flasim ne këtu, që leximin nuk e keni pasur as dëshirë e as qëllim, Don Kishoti është një nga personazhet komplekse, idealiste, tragjike, shpesh edhe komike”.

Mes tjerash, Abdixhiku thotë se kundështarët i sheh si ata që duan ta kthejnë Serbinë në Kosovë.

“Sikurse Don Kishoti i Servantesit, edhe Albin Kurti i VV-së, duhet çdo ditë, çdo mëngjes në një botë që e ka kriju vetë, dhe në atë botë Albin Kurti sheh dhe krijon veç kundërshtar. Kundërshtar që duan ta kthejnë Serbinë në Kosovë. Edhe ty gjeneral Hadërgjonaj, edhe ty Ramush, edhe juve që keni luftu për lirinë e Kosovës. Të gjithë ne duhet ta kthejmë Serbinë në Kosovë. Kundërshtarë që duan ta bllokojnë Kosovën, vendin ku për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijët tanë këtu. Kundërshtarët tjerë që ky mos me pas sukses”, tha Abdixhiku.