Abdixhiku – Kurtit: Ikja nga ballafaqimet është veç papërgjegjësi, nuk di të qeverisësh

“Paaftësi dhe papërgjegjësi. Ky njeri nuk di të qeverisë”, ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas të parit të LDK-së, në kohën kur vendi po përballet me krizën në arsim, ka gjetur kohë që të udhëtojë drejt Japonisë

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK)





Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka udhëtuar për në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Ai e ka quajtur papërgjegjësi të kryeministrit, ngase në kohë krize i njëjti po gjen kohë “të ikë nga ballafaqimet” dhe nga krizat që e kanë kapluar vendin.

Abdixhiku, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se kjo “nuk është më gjendje normale”.

“Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por kryeministri i Kosovës zgjedh të largohet për në Japoni. Paaftësi dhe papërgjegjësi! Ky njeri nuk di të qeverisë”, ka shkruar Abdixhiku, teksa shtoi se “ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi”.

I pari i LDK-së ka potencuar se asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë.

Sipas tij, asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq “pandjeshmëri”.

“Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vetë shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?”, shtoi ai.

Siç thotë Abdixhiku, Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike.

“Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatit vendin për betejat e madha përpara – në energjetikë, inflacion, shëndetësi e ekonomi”, shkroi ai.

Ndryshe, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, shefi i ekzekutivit i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë qëndrimit në Japoni do të zhvillojnë edhe takime të tjera zyrtare.

Të premten e 8 korrikut, ish-kryeministri japonez kishte vdekur pasi ishte qëlluar me armë përgjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Abe, 67-vjeçar, i cili njëherësh mbetet kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua prapa gjersa ishte duke mbajtur një fjalim në fushatë.

Ndërsa, në librin e zisë të hapur në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, kryeministri Kurti kishte shprehur respektin dhe nderimin për ish-kryeministrin Abe.

Java e katërt e shtatorit në Kosovë i gjen ende në grevë 99.6 për qind të mësimdhënësve në nivel vendi, e mijëra nxënës jashtë shkollave.

Kjo për shkak të moskompromisit nga asnjëra palë, qoftë nga Qeveria e qoftë edhe nga sindikalistët e arsimit të cilët nuk heqin dorë pa u plotësuar plotësisht kërkesat e tyre.

Mësimdhënësit e institucioneve publike po vazhdojnë grevën, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj.

Ndonëse përjashtim kanë bërë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët mësimore, megjithatë, janë afro 300 mijë nxënës që nuk kanë nisur ende procesin mësimor i cili ishte paraparë të niste më një shtator.

Çka parasheh Projektligji për Pagat?

Ndryshe, Projektligji për Pagat në sektorin publik, të enjten e 15 shtatorit ka dalë në konsultim publik, teksa edhe janë bërë publike koeficientet.

Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.

Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.

Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës për kategoritë të cilat i rregullon.

Ky projektligj përjashton mundësitë që mënyra dhe kushtet për pagë dhe shpërblime të rregullohen me akte të tjera normative, përveç kur parashihet dhe autorizohet shprehimisht me këtë projektligj.

Fillimisht, Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar një grup punues i cili ka analizuar të gjitha mangësitë dhe anomalitë e ligjit të shfuqizuar, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka ofruar shembuj të praktikave të mira të cilat do të mund të shërbenin në hartim të këtij ligji.

Më pas, është themeluar grupi punues i projektligjit për paga, i cili ka bërë punën substanciale në ligj.

Përgjatë hartimit të Projektligjit janë ftuar dhe konsultuar të gjitha institucionet e administratës publike.

Një koeficient ka vlerën e 120 eurove, e cila për t’u llogaritur paga, duhet të shumëzohet vlera e koeficientit me vlerën që do t’i caktohet atij.

Ndërkohë, paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, derisa me ligjin e ri pritet që të rritet dhe të shkojë deri në 620 euro.

Ndërkaq, mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe e njëjta pritet të rritet në 696 euro.

Pas pocedurës së konsultimit publik, Projektligji për Pagat pritet të miratohet në Qeveri dhe në Kuvend.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika