Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se në vend që të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, po i jep asaj autonominë, Asociacionin.

“Tani pse Serbia duhet edhe të nënshkruajë diçka, sepse, kryeminstër, Serbia po merr gjithçka, po s’po jep asgjë, po e merr Asociacionin me autonomi po s’po jep asgjë, pse me dhënë kur s’po i kërkon. Ti sot këtu i kërkove njohjen de-facto dhe jo de-juro. Por, për me dhënë Serbia diçka, duhet t’ia kërkosh, por kryeministri i Kosovës nuk e kërkon më njohjen, por e jep autonominë, e jep Asociacionin, prandaj nuk nënshkruan”, ka deklaruar Abdixhiku drejtuar kryeministrit Albin Kurti në Kuvend.

Ai ka thënë se draft-statuti i Asociacionit nuk duhet të nënshkruhet me Serbinë, pasi, sipas tij, kjo është çështje e brendshme e Kosovës.

“Ky dokument nuk duhet të nënshkruhet me Serbinë, statuti i Asociacionit është çështje e Kosovës, është gabim në qoftë se e nënshkruani statutin e Asociacionin me Serbinë, është çështje e brendshme e Kosovës. Dhe meqenëse ju keni një marrëveshje me Serbinë, nuk është më relevante nënshkrimi, jo veç sa na thatë që marrëveshja e Ohrit është obligim ndërkombëtar për Kosovën”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se draft-statuti nuk mund të krahasohet me marrëveshjen e vitit 2013, duke shtuar se dokumenti që Kosova e ka pranuar zyrtarisht për herë të parë nuk mund të krahasohet me diçka që nuk ka ekzistuar më parë.

“Ky dokument i referohet marrëveshjes 2013, dhe më pas i shtohet pakrahasueshëm më mirë se marrëveshja 2013, por s’mund të krahasohet draft-statuti me marrëveshjen e vitit 2013 se janë dy gjëra të ndryshe. Ky është dokumenti që e ka pranuar zyrtarisht për herë të parë Kosova, por s’mund të krahasosh diçka që nuk ka ekzistuar më parë. Dhe me aq sa kryeministri pranoi u referohet marrëveshjes së vitit 2013”, është shprehur tutje ai.