Abdixhiku: Kuvendi për shkarkimin tim nuk ishte i nevojshëm, por do të përballem

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, pas kërkesëspër shkarkimin e tij nga posti i kryetarit.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se, ndonëse e ka konsideruar këtë proces të panevojshëm, do ta respektojë vendimin dhe  do t’i nënshtrohet vullnetit të delegatëve.

“Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm tëLDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka rikujtuar se gjatë pesë viteve në krye të LDK-së ka dalë tri herë para anëtarësisë për të kërkuar besimin e saj, ndërsa kësaj radhe, sipas tij, po i kërkohet ta rimarrë atë besim përmes një kërkese për shkarkim.

“Në pesë vite si Kryetar, ky është Kuvendi im i katërt. Në tri prej tyre, kam dalë vetë para anëtarësisë dhe kam kërkuar besimin e saj. Këtë herë, të njëjtin besim më është kërkuar ta rimarr përsëri; veçse njëanshëm me kërkesë për shkarkim. Në 37 vite histori, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka vlerësuar se Kuvendi është i panevojshëm dhe se mënyra si është iniciuar mund të sjellë përçarje brenda partisë.

“E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, ai ka theksuar se do ta respektoj procesin demokratik.

“Por zgjodhën një rrugë tjetër. Dhe demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Unë e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund, kreu i LDK-së u ka bërë thirrje delegatëve të qëndrojnë të bashkuar, duke e cilësuar Kuvendin si një mundësi për t’i dhënë qartësi partisë.

“Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë. Të enjten, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, ka përfunduar Abdixhiku.

Të fundit nga rubrika