Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim virtual me 88 nëndegët e partisë në mërgatë.
Abdixhiku bëri të ditur se gjatë këtij takimi ka informuar strukturat e LDK-së për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat, sipas tij, kanë dështuar pavarësisht “vullnetit maksimal” dhe kërkesave minimale të LDK-së, njofton Dukagjini.
Megjithatë, ai theksoi se ky dështim nuk përbën fund, por një moment kthese për LDK-në.
Kreu i LDK-së njoftoi gjithashtu se është arritur dakordim për mobilizim të plotë të strukturave dhe nisjen e përgatitjeve për organizimin e tubimeve dhe takimeve me mërgatën.
Ai vlerësoi rolin e mërgatës si vendimtar në këtë proces, duke theksuar se ajo nuk është vetëm mbështetje, por pjesë kyçe e ndryshimit që synon partia.
“Në vijim të zhvillimeve të fundit, dhe në përgatitje për hapat e ardhshëm, mbajtëm një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e LDK-së në mërgatë. I njoftova për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat fatkeqësisht dështuan, përkundër vullnetit tonë maksimal dhe kërkesave tona minimale – veç demokraci. Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe për Lidhjen. Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët. U dakorduam për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë. Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë. Koha për pritje ka përfunduar. Koha për veprim ka nisur”, ka shkruar Abdixhiku.