Abdixhiku në mbështetje të grevave, e quan qeverinë autokratike
Presion të drejtpërdrejt ndaj punëtorëve të sektorit publik dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike, e ka cilësuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, paralajmërimin e ministrisë së Financave se do t’i pezullojë kontratat e punës ndaj grevistëve për aq kohë sa do të mbajnë grevë. “Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie […]
Presion të drejtpërdrejt ndaj punëtorëve të sektorit publik dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike, e ka cilësuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, paralajmërimin e ministrisë së Financave se do t’i pezullojë kontratat e punës ndaj grevistëve për aq kohë sa do të mbajnë grevë.
“Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim. Kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik”, ka shkruar Abdixhiku, në Facebook.
Ai ka kërkuar nga të gjithë që të rreshtohen në krah të punëtorëve të sektorit publik, kërkesat e të cilëve kryetari i LDK-së i ka quajtur legjitime.
Ai e ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për paaftësi për t’i menaxhuar krizat që sipas tij e kanë kapluar vendin.
Sipas, Abdixhikut, që me “frikë e kërcënim, provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij”.
“Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë. Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha”, ka shkruar Abdixhiku.
Të enjten e 25 gushtit, Ministria e Financave dhe Transfereve ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.
Enis Spahiu, zëvendëssekretar në këtë dikaster, ka konfirmuar për portali Dukagjini se paga e secilit grevistë do të pezullohet për aq kohë sa qëndron në grevë, sipas nenit 18 të Ligjit për Greva.
Sipas Spahiut, kjo është bërë për ta respektuar Ligjin për Greva, meqenëse ndaj grevistëve nuk mund të merren masa disiplinore e as të zëvendësohen.
Ai ka thënë se pas emailit nga Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj, për mbajtjen e grevave, e ka njoftuar atë se do të zbatohet edhe dispozita ligjore që kërkon pezullimin e obligimeve të kontratës së punës.















