Abdixhiku pas aktgjykimit në Hagë: Asnjë vendim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Abdixhiku ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte luftuar për mbijetesën dhe lirinë e popullit të Kosovës, duke e cilësuar UÇK-në si pjesë të rëndësishme të historisë moderne të […]
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Abdixhiku ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte luftuar për mbijetesën dhe lirinë e popullit të Kosovës, duke e cilësuar UÇK-në si pjesë të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës.
Ai ka deklaruar se, sipas tij, as aktgjykimi i sotëm nuk mund ta ndryshojë atë që e cilëson si të vërtetën historike për luftën në Kosovë.
“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë.
UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht.
Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Regjimi i Serbisë ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, ushtroi dhunë, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje. Përballë kësaj egërsie, populli i Kosovës luftoi për mbijetesë dhe liri.
U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën. Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve. Ta ruajmë Kosovën, unitetin qytetar dhe miqësitë që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.















