Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas raportimeve për dorëheqjen e Rifat Latifit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.

Abdixhiku e ka kritikuar menaxhimin në këtë ministri, duke thënë se janë realizuar vetëm pesë për qind e investimeve kapitale për vitin 2022.

Tutje, i pari i LDK-së ka ironizuar me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila shpesh thotë se fajet për keqmenaxhimin i kanë udhëheqësit e viteve të kaluara.

“Një vit e gjysmë qeveri, në pritje të ministrit të 3-të në shëndetësi. Vetëm 5% investime kapitale të realizuara sivjet. Fajet? 20 vjet? Paaftësi e papërgjegjësi!”, ka shkruar ai.

Latifi ishte emëruar ministër më 16 nëntor të vitit 2021, duke e zëvendësuar atë kohë ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kurti e kishte emëruar doktor Rifat Latifin ministër të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Arben Vitisë, për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në këtë vit, Kryeministri i Kosovës e kishte themeluar një Komision për Shëndetësi, në të cilin e kishte emëruar veten kryesues të tij, për t’u marrë me problemet e këtij sektori. Ky veprim i kryeministrit u interpretua si injorim apo mosbesim ndaj Rifat Latifit.

Kohëve të fundit, ai është kritikuar nga partitë opozitare dhe shoqëria civile, për udhëtimet e tij të shpeshta jashtë vendit dhe injorimin e problemeve të sektorit të shëndetësisë në Kosovë.

Latifi ka qenë i angazhuar me detyrë publike edhe më herët, si këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaçi në vitin 2009.