Abdixhiku pas rikonfirmimit në krye të LDK-së: Ky është detyrim për bashkimin e partisë dhe stabilitetin e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se rezultati i Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë nuk përfaqëson vetëm rikonfirmimin e tij në krye të LDK-së, por edhe vazhdimin e orientimit politik dhe programor të kësaj partie.

Në konferencën për media pas përfundimit të kuvendit, ku delegatët votuan kundër shkarkimit të tij, Abdixhiku falënderoi mbështetësit e tij dhe tha se respekton edhe ata që kishin qëndrim ndryshe.

Sipas tij, vendimi i delegatëve ishte një përcaktim jo vetëm për udhëheqjen, por edhe për drejtimin politik të LDK-së.

“Në këtë demokraci maksimale, delegatët e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në mënyrë shumë demokratike dhanë drejtim jo vetëm për lidershipin e partisë, por edhe për orientimin vleror, programor të kësaj shtëpie të madhe politike”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai e ka cilësuar Kuvendin e Jashtëzakonshëm si të panevojshëm dhe të pakohë, duke thënë se debati i brendshëm i ka kushtuar partisë.

“Ky Kuvend ka qenë i panevojshëm e i pakohë, i padobishëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse na ka mbajtur pa asnjë arsye tash e sa muaj”, është shprehur ai.

Megjithatë, Abdixhiku tha se rezultati i votimit tashmë i obligon të gjitha strukturat e partisë që të punojnë për unitet dhe për realizimin e reformës së LDK-së.

“Rezultati i sotshëm është konfirmim i asaj për çfarë qëndrojmë, por mbi të gjitha është detyrim i bashkimit të LDK-së rreth reformës së saj dhe i dhënies përfundimisht të kontributit tonë partiak në stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kreu i LDK-së bëri të ditur se delegatët kanë miratuar edhe një deklaratë politike përmes së cilës mbështetet angazhimi i partisë për tejkalimin e bllokadës institucionale dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Këta delegatë kërkuan nga deputetët e LDK-së, nga Kryesia e LDK-së dhe nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që ta respektojnë plotësisht këtë orientim partiak dhe ta implementojnë këtë vendimmarrje deri në fund”, deklaroi Abdixhiku.

Ai njoftoi gjithashtu se Kuvendi ka vendosur që deputetët e zgjedhur të LDK-së të bëhen anëtarë me të drejta të plota të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Abdixhiku u zotua se do të punojë për bashkimin e LDK-së, por pa bërë kompromis me vlerat e saj.

Të fundit nga rubrika