Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që vlerëson se ushtrimi i funksioneve të ministrit dhe deputetit njëkohësisht është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku kujtoi se LDK kishte dorëzuar 17 kallëzime penale në Prokurori për rastet kur individë ushtronin funksione të dyfishta si ministra dhe deputetë.

“Kur LDK dorëzoi 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale, për të gjithë ata që sillen njëkohësisht si ministra dhe deputetë, Prokuroria nëpërmjet një letre, kërkoi argumente shtesë nga ne.

Sot, Gjykata Supreme e Republikës foli qartë. Me një vendim të prerë, ajo konstatoi se ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe ministrit në të njëjtën kohë është joligjor; dhe si i tillë, përbën vepër penale.

Nesër, LDK do ta dorëzojë këtë vendim zyrtarisht në Prokurori. Një dëshmi më shumë. Një aktgjykim tashmë i formës së prerë.

Nga ata që nuk dinë nëse janë ministra apo deputetë, nuk presim asgjë. Por nga Prokuroria e Kosovës, presim veprim. Ky shtet dhe kjo shoqëri i paguan, i mirëmban dhe, mbi të gjitha, u beson mbrojtjen e ligjit. Le të ketë drejtësi për të gjithë.

Kam njoftuar edhe ambasadorët e QUINT-it për këtë zhvillim. LDK pret edhe mbështetje ndërkombëtare për mbrojtjen e demokracisë dhe ligjshmërisë në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku.