Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Kurti për reagimin e tij pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj duke thënë se “kryeministri na flet si analist e si opozitar”.

Sipas Abdixhikut, Kurti “ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit”.

Ai ka thënë se po të donte Kurti rend e ligj, “nuk do ta linte shtetin pa kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty”.

“Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka kërkuar nga kryeministri që të merret me ministrin e brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, që siç është shprehur ai “të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë”.

“Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim. Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro. Për atë punë je aty”, ka vijuar tutje ai.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për vrasjen tragjike, ka thënë se duhet hequr dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”.

Sipas tij, aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’.

Kurti: Të hiqet dorë nga paragjykimi patriarkal ‘nderi burrëror – gruaja shërbëtore’, aktet e dhunës vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’