Për Ditën e Pavarësisë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se Kosova është arritja më e madhe e popullit shqiptar, duke e konsideruar si një shpagim i përpjekjeve të gjeneratave për çlirim dhe pavarësim.

Abdixhiku ka nderuar presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, si dhe të gjithë luftëtarët, martirët dhe dëshmorët e luftës çlirimtare, duke përmendur veçanërisht Familjen Jashari, që është themel i lirisë.

Ai gjithashtu ka shprehur falënderime për aleatët e Kosovës, që ndihmuan në luftë dhe paqe.

“Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe e jona. Është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim; është mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë. Në këtë ditë nderojmë Atin Themeltar të kësaj Republike, Presidentitn Dr. Ibrahim Rugova prirja e së cilit – në orët tona më të rënda – dha dritë. Sot nderojmë gjithë luftëtarët, martirët e dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare, nderojmë Familjen Jashari, sakrifica e të cilëve na qëndron si gurëthemel i vet lirisë. Nderojmë aleatët tanë, ata që bënë luftën me ne, bënë paqen me ne”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku ka apeluar për unitet dhe ka theksuar se përplasjet e brendshme janë të përkohshme, ndërsa atdheu është përjetësisht i shenjtë

“Në këtë përvjetor të 17-të, le të kujtojmë se dashurinë për pavarësi e shtet s’mund ta zhbëjë përplasja jonë e brendshme. Përplasja është e përkohshme, atdheu ynë është i përhershëm. Ky atdhe na thërret të vazhdojmë rrugëtimin secilën ditë! Sot, festojmë të gjithë! Veç një Kosovë kemi!”, ka shkruar ai.