Abdixhiku: Zgjidhje dhamë, s’kemi kohë për të humbur – LDK do të merret me zgjedhjet lokale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se partia e tij po nis përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vjeshtë, duke theksuar se LDK nuk do të humbë më kohë në përballje të pafrytshme politike. Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se LDK ka ofruar zgjidhje […]
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se partia e tij po nis përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vjeshtë, duke theksuar se LDK nuk do të humbë më kohë në përballje të pafrytshme politike.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se LDK ka ofruar zgjidhje për krizën aktuale politike dhe mbetet e hapur për bashkëpunim kurdo që palët e tjera të jenë të gatshme.
Deri atëherë, siç ka theksuar ai, partia do të fokusohet në proceset e saj të brendshme, duke u angazhuar për organizimin e zgjedhjeve lokale.
“Kohë për të humbur më nuk kemi. Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët. Deri atëherë, përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, LDK do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë. Do të merret me Zgjedhjet Lokale”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka njoftua se tashmë ka thirrur në takim kryetarët e degëve të LDK-së për të nisur procesin konsultativ dhe përgatitor për zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Abdixhiku ka potencuar se partia do të hyjë në këtë garë “me plot vullnet, bindje dhe përgatitje”.















