Abrashi: Nuk kemi njoftim zyrtar për dorëheqjen e Rifat Latifit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se nuk është në dijeni se a ka dhënë ose jo dorëheqje Rifat Latifi, nga pozita e ministrit të Shëndetësisë. Abrashi është shprehur se ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Qeveria e Kosovës për një gjë të tillë. Gjithashtu, ai ka thënë se duhet ta presin […]





Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se nuk është në dijeni se a ka dhënë ose jo dorëheqje Rifat Latifi, nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.
Abrashi është shprehur se ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Qeveria e Kosovës për një gjë të tillë.
Gjithashtu, ai ka thënë se duhet ta presin njoftimin zyrtar të qeverisë për ta kuptuar se a është i vërtetë raportimi për dorëheqjen e Latifit.
“Nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar për këtë punë, e pamë në portale se gjoja ka dhënë dorëheqje. Rrugës duke ardhur filluan nominime nga portalet dhe mediat se kush duhet të jetë ministër, dhe deri tash sa po flasim ndoshta e kanë zgjedhur ministrin”, ka thënë ai.
“Jam ithtar i asaj që duhet ta presim një qëndrim zyrtar të qeverisë sa i përket kësaj çështjeje. Duhet të na bëhen zyrtarisht arsyet e dorëheqjes. Kishte filluar një anarki të informacioneve të pakonfirmuara”, ka vijuar Abrashi.
Deputeti Abrashi e ka komentuar edhe reagimin e kolegut të tij, deputetit Burim Meta, i cili pas dorëheqjes së Latifit, ka thënë se ky post duhet t’i takojë Partisë Guxo.
Abrashi ka thënë se emri i personave nuk është i rëndësishëm, por përmbushja e premtimeve.
“Rrespekt për kolegun tonë, për lëvizjen nuk është i rëndësishëm emri apo mbiemri, apo nomnimimi i ndonjë personi nga ndonjë subjekt i caktuar. Por të përmbushen premtimet tona për sektorin e shëndetësisë”, ka thënë Abrashi.
Njëjtë sikurse Abrashi, ka thënë edhe deputeti tjetër i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili është shprehur se nuk është në dijeni për dorëheqjen e Rifat Latifit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.




















