Absurditeti i “zëdhënësve” të Zotit
Një i ri vdiq, pasoi gëzimi dhe urrejtja. Kjo, pasi gazetari kosovar, Arton Turkaj, me sarkazmën e tij, përveç që “kritikoi” nga presidentja e deri te fenomenet e ndryshme në shoqëri, ai s’la pa prekur edhe religjionet. “Urime Krishtlindjet jau boft allahu kabull”, ishte njëri nga shkrimet e tij në Facebook, që preku shumë besimtarë […]
Një i ri vdiq, pasoi gëzimi dhe urrejtja.
Kjo, pasi gazetari kosovar, Arton Turkaj, me sarkazmën e tij, përveç që “kritikoi” nga presidentja e deri te fenomenet e ndryshme në shoqëri, ai s’la pa prekur edhe religjionet.
“Urime Krishtlindjet jau boft allahu kabull”, ishte njëri nga shkrimet e tij në Facebook, që preku shumë besimtarë myslimanë, që nga hoxhallarë e deri te drogaxhi e belaxhi të kthyer në fe si më të “devotshmit” më të ri.
E gjuha e urrejtjes së tyre, ndonëse e pashpjegueshme dhe e papranueshme, disi do të shpjegohej me filozofin, Baruh Spinoza, rrjedhimisht, do të shfaqte prapë si para 346 vjetësh (koha kur u publikua libri, Etika), absurditetin e ligjërimeve të teologëve fetarë.
Duke u përafruar me filozofinë e Spinozës, lind argumenti se këta “zëdhënës” të Zotit, duke i atribuuar konceptet dhe nocionet antropomorfe hyjnores (përmes gjuhës së urrejtes), ekspozojnë një mospërputhje themelore.
Pra, shpërfaqet absurdi, ata që proklamojnë dhe ligjërojnë për një Zot, të Gjithëfuqishëm e Gjithëmëshirshëm, po i atribuojnë atij (Zotit) emocione njerëzore.
Më thjesht, ai, Spinoza, do të pyeste se si një qenie perfekte si Zoti, do të zemërohej me një qenie joperfekte si njeriu.
Për Spinozën, emocionet njerëzore përfaqësojnë mënyra të kufizuara të të menduarit, për rrjedhojë, duke i bërë ato të pazbatueshme për një hyjni të pafundme dhe të përsosur.
Rrjedhimisht, nocioni i një Zoti të inatosur, që shpërblen ose ndëshkon bazuar në sjelljen njerëzore, del si i papajtueshëm brenda vetë diskurseve teologjike.
“Po mos u tallni me Zotin; se të len zemra diku… Zemrën e komandon vetë Ai, Zoti… e jo vetë njeriu”, shkruante një hoxhë për vdekjen e Turkajt, e që, sipas Spinozës, vë në pikëpyetje ligjerimet e tij, si rrjedhojë edhe besimin e tij.
E duke u bazuar në fjalët e hoxhës e komentet e shumta të disa myslimanëve, ngrihet pyetja se kur po flasin me gjuhë të urrejtjes dhe po i gëzohen vdekjes së një njeriu “apo i komandon Zoti zemrat e tyre?”














