Pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka reaguar vëllai i saj, Leonard Ademaj, duke e cilësuar vendimin si një konfirmim të asaj që familja kishte pretenduar që nga fillimi.
Gjykata shpalli fajtorë Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën për vrasjen e ndodhur më 29 nëntor 2023. Për këtë krim, Murseli dhe Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Kokalla me 30 vjet burg.
Në FIVE në TV Dukagjini, Leonard Ademaj tha se vendimi i sotëm i gjykatës vërtetoi versionin e familjes dhe mbrojtjes.
“Ajo se çfarë pame ne sot, është ajo se çfarë ne e themi, familja së bashku me avokatin që nga fillimi që Naim Murseli së bashku me Kushtrim Kokallën e kanë organizuar këtë vrasje, duke e zgjedhur Granitin si vrasës. Pra u vërtetua edhe sot që këta së bashku e kanë kryer krimin. Dhe mendoj që gjykata vendosi drejt mbi këtë rast…
Është shumë e vërtetë që asnjë vendim nuk e kthen Liridonën më. Po ky vendim le të shërbej për ne si familje, le të shërbej për Liridonën vet, për fëmijët e saj sepse ata do të rriten dhe do ta kuptojnë se dikush i përgjegjshëm e dënoi krimin për largimin e nënës së tyre nga jeta. Vendimi që sado pak na lehtëson dhimbjen familjes sonë. Pasi ka qenë periudhë e vështirë për familjen tonë, humbja e Liridonës la një boshllëk të madh në familjen tonë”, ka thënë Ademaj.
