Aeroportet greke ndalojnë fluturimet për shkak të problemeve me frekuencat
Aeroportet në mbarë Greqinë pezulluan ardhjet dhe nisjet e fluturimeve të dielën, për shkak të problemeve të paqarta që lidhen me frekuencat radio, bënë të ditur televizioni shtetëror grek dhe autoriteti kombëtar i aviacionit civil. Autoritetet thanë se po hetojnë shkaqet e incidentit. Sipas Autoritetit Grek të Aviacionit Civil, disa fluturime që kalonin mbi hapësirën […]
Aeroportet në mbarë Greqinë pezulluan ardhjet dhe nisjet e fluturimeve të dielën, për shkak të problemeve të paqarta që lidhen me frekuencat radio, bënë të ditur televizioni shtetëror grek dhe autoriteti kombëtar i aviacionit civil.
Autoritetet thanë se po hetojnë shkaqet e incidentit. Sipas Autoritetit Grek të Aviacionit Civil, disa fluturime që kalonin mbi hapësirën ajrore greke, përmes Rajonit të Informacionit të Fluturimeve të Athinës (FIR), vazhduan të shërbeheshin, por operacionet në aeroporte u kufizuan për arsye sigurie, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Të dhënat nga platformat e ndjekjes së fluturimeve treguan se hapësira ajrore e Greqisë ishte pothuajse e zbrazët. Transmetuesi shtetëror ERT raportoi nga terminali i nisjeve në aeroportin “Eleftherios Venizelos” të Athinës, ku kishte grumbullim të madh udhëtarësh, se ardhjet dhe nisjet u pezulluan rreth orës 09:00 sipas kohës lokale (07:00 GMT).
ERT njoftoi gjithashtu se disa fluturime u devijuan drejt vendeve fqinje. Ndërkohë, në Izrael, një zëdhënës i Autoritetit të Aeroporteve deklaroi se hapësira ajrore greke ishte mbyllur deri në orën 16:00 sipas kohës lokale, duke këshilluar udhëtarët të presin vonesa në ardhje dhe nisje.















