Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka bërë të ditur se stafi tokësor i kompanisë “Deutsche Lufthansa”, ka paralajmëruar grevë nga data 27 korrik në orën 03:45 deri më 28 korrik, ora 06:00.

Një veprim i tillë i stafit pritet të ndikojë në operimet e kompanisë “Lufthansa” në aeroporte të ndryshme në të gjithë vendin.

“Gjatë kësaj kohe Lufthansa ka të parapara disa fluturime për në ANP ‘Adem Jashari’ LKIA: nga/për në Mynih, Duseldorf, Shtutgart, Frankfurt, dhe udhëtarët tanë që udhëtojnë me këtë linjë ajrore në datat e lartpërmendura mund të kenë anulime, vonesa të mëdha, apo edhe bagazh të humbur/vonuar”, thuhet në njoftimin për media.

Me këtë rast, ANP “Adem Jashari” u ka kërkuar udhëtarëve që planifkojnë të udhëtojnë me Lufthansa, të jenë në kontakt me përfaqësuesit e kompanisë ajrore nëse ndodh ndonjë anulim apo vonesë e fluturimit të tyre.

Ndër të tjera, thuhet se së fundmi shumë aeroporte të Bashkimit Evropian janë prekur nga grevat e punonjësve që po ndodhin atje.