Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike(KEDS) ka njoftuar se të shtunën e pesë nëntorit në fshatin Ballofc të Podujevës, disa persona të panjohur për KEDS-in dhe Policinë kanë gjuajtur me armë zjarri dhe kanë dëmtuar transformatorin “Ballofc 2 Bunjaket”.

“Ekipet tona kanë denoncuar rastin në polici me datë 06.11.2022. Pas kësaj të nesërmen ne e kemi ndërruar transformatorin dhe e kemi kthyer furnizimin me energji elektrike. Sipas banorëve të kësaj lagjeje atë natë ka ndodhur një tentativë vjedhjeje në një shtëpi afër vendit ku ndodhet transformatori. Sipas banorëve të kësaj lagje policia është duke e ndjekur rastin”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Tutje KEDS ka njoftuar se një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe këtë të premte në të njëjtin vend dhe të njëjtin trafostacion.

“Për këtë rast sërish është njoftuar policia dhe është hapur rasti. Për shkak të këtij dëmtimi të qëllimshëm kemi rreth 120 konsumatorë pa energji elektrike”.

KEDS ka ftuar policinë e Kosovës që këto raste t’i trajtojë me prioritet dhe që rastet e njëjta të mos përseriten më.