Afro 4 vjet në burgjet e Serbisë, lënda ndaj Nezir Mehmetajt kërkohet të rikthehet në pikën zero

Ndonëse gjykimi ndaj tij ishte në përfundim, për lëndën ndaj Nezir Mehmetajt është bërë kërkesë që të rikthehet nga pika zero, nën arsyetimin se është ndërruar gjykatësi i rastit

Ndonëse gjykimi ndaj tij ishte në përfundim, për lëndën ndaj Nezir Mehmetajt është bërë kërkesë që të rikthehet nga pika zero.

Kjo nën arsyetimin se është ndërruar gjykatësi i rastit, dhe për këtë prokurori ka kërkuar që lënda të nisë nga fillimi.

E krejt kjo, pas rreth katër vjet paraburgim në burgjet e Serbisë.

Nezir Mehmetaj, qytetar nga Rudica e komunës së Klinës, është arrestuar nga policia serbe me tre janar të vitit 2020, në vendkalimin kufitar në Merdarё, nën akuzat për kryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë joshqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

“Është bërë kërkesë për të rikthyer lëndën dhe mbetet të shihet në seancën e radhës, arsye ishte ndryshim në trupin gjykues”, ka thënë shkurtimisht për Portalin Dukagjini Valon Mehmetaj, vëllai i Nezir Mehmetajt.

Ai ka thënë se masa e paraburgimit i është shtyrë deri në muajin shtator.

Po ashtu, ai ka theksuar se “gjendja shëndetësore e Nezirit nuk është e mirë”.

“Nezirit, qysh nga kapja duke e cilësuar si arrestim për akuzat e rreme dhe të pabaza janë duke iu shkelur të drejtat njerëzore dhe ligjore, këtë e dëshmon mbajtja në paraburgim që 1300 ditë, duke mos pasur fare konsideratë mbi këto shkelje nga ana e të ashtuquajturës drejtësi e shtetit të Serbisë, rasti zvarritet ashtu sipas tekëve të tyre”, tha vëllai i Nezirit.

May be an image of 2 people

Ai ka kërkuar reagim nga institucionet përkatëse të Kosovës dhe nga ndërkombëtarët.

“Duhet të reagojë shteti ynë dhe bashkësia ndërkombëtare ndaj kësaj shkelje e të drejtës për liri dhe jetë, që të lirohet sa më parë, sepse Nezir Mehmetaj, i cili është duke vuajtur në çdo aspekt, pasi që e gjithë kjo kohë e gjatë e mbajtjes jashtë çdo rregulli ligjor ia ka shuar shpresat për liri”.

Trajtimi nga autoritetet e burgut ku ai mbahet ka qenë korrekt ka thënë MPJD-ja, edhe pse mbajtja e tij në burg dhe akuza ndaj tij nga z. Mehmetaj “konsiderohen të padrejta, arbitrare dhe krejtësisht të pavërteta”.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Portalin Dukagjini, vlerëson se kjo qasje e Serbisë është në kundërshtim me parimet apo obligimet që i ka në raport me integrimin e saj evropian në BE dhe të drejtat e lirisë së njeriut.

“Me vetë faktin që i njëjti është në paraburgim për rreth katër vjet dhe kthimi i rastit në rigjykim është se mund të marrë edhe vite të tjera deri sa të kemi një vendim përfundimtar. Sigurisht që kjo cenon të drejtat dhe liritë e njeriut për një gjykim në kohë të arsyeshme dhe kur kësaj i shtohet fakti që nëse nesër i njëjti mund të shpallet i pafajshëm, atëherë kjo dëshmon që shteti serb me dije po ua cenon qytetarëve të Kosovës të drejtat e tyre duke keqpërdorur gjykatat e veta”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, shteti i Kosovës ka shumë pak mundësi të bëjë në këto raste.

“Përjashtimisht të shfrytëzojë autoritetin e vet përmes partnerëve ndërkombëtarë, në njëfarë mënyrë të kërkojë nga Serbia të mos keqpërdorë juridiksionet e saj për të arrestuar qytetarë të Kosovës nën dyshimet se kanë kryer krime lufte në Kosovë”, tha ai.

Kur pyetet se duke i pasur parasysh zhvillimet e fundit në veri dhe tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, a ka gjasa që ky rast të ndërlidhet për shkak të çështjeve politike, Miftaraj nuk e përjashton si mundësi.

“Me vetë faktin që në Serbi kemi një regjim pothuajse autoritar ku gjykatat, prokuroria, policia janë në shërbim të një presidenti siç është Aleksandër Vuçiq, edhe mundësitë që kjo të keqpërdoret janë jashtëzakonisht shumë të mëdha. Kjo nuk mund të përjashtohet”, shtoi më tej ai.

Kërkesa e ministres Haxhiu për transferim, rrit shpresat e familjarëve

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar përmes një letre zyrtare ministres së Drejtësisë të Serbisë, Maja Popoviq, transferimin e Nezir Mehmetajt në Kosovë.

Në këtë letër thuhet se proceset e deritashme gjyqësore ndaj Mehmetajt janë shoqëruar nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

“Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e ministres Haxhiu.

Kjo kërkesë i ka rritur shpresat e familjarëve të Nezir Mehmetajt, pasi, sipas vëllait të Nezirit, për herë të parë po shihet një qasje serioze nga institucionet e Kosovës.

Ndryshe, Nezir Mehmetaj, i arrestuar më tre janar të vitit 2020 në Merdar, po vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi.

Nezir Mehmetaj është i akuzuar për pjesëmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë në komunën e Klinës, në qershor dhe korrik 1999.

Ai akuzohet nga Serbia për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë si anëtar i UÇK-së.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika