Afro 50 ditë, Ministria e Shëndetësisë pa zot shtëpie

Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa një udhëheqës në krye që nga 6 tetori kur Rifat Latifi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit. Opozita po e kritikon qasjen e qeverisë në lidhje me sektorin e shëndetësisë duke thënë se “gjendja në shëndetësi po shkon drejt kolapsit dhe se emërimi për këtë pozitë ka mbetur peng i interesave të caktuara të qeverisë”

Foto ilustruese, Ministria e Shëndetësisë





Ka 48 ditë që Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa një udhëheqës në krye.

Ani pse në krye të këtij dikasteri është ushtruesja e detyrës, Dafina Gexha-Bunjaku tashmë në zëvendësim të ish-ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifi, a mund të funksionojnë detyrat në tërësi të kësaj ministrie sikurse në praninë e “Zotit të Shtëpisë”?

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se zëvendësministrja e shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku ka kompetencë të plotë për të ushtruar detyrën deri në një vendim tjetër të Qeverisë së Kosovës për ministrin/en e shëndetësisë.

MSh: Pavarësisht sfidave në sektorin e shëndetësisë, ato janë të menaxhueshme aktualisht

MSh ka bërë të ditur se punët në këtë ministri janë duke vazhduar dhe rregullisht janë duke u miratuar planet e parapara dhe strategjitë sektoriale.

“Është rritur buxheti dhe ka mjaft indikator pozitivë rreth përmbajtjes të planit të punës pavarësisht që ka edhe sfida të ndryshme të cilat janë të menaxhueshme”, thuhet në përgjigjen e MSh.

Pavarësisht se kjo ministri po funksionon me ushtrues detyre, opozita po e kritikon qeverinë e Kosovës për lënien anash të këtij sektori duke thënë se “shëndetësia nuk është prioritet” për këtë qeveri.

Haxhiu: Pozita e ministrit të shëndetësisë, peng i grupeve të interesit të VV-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu në një prononcim për Portalin Dukagjini ka thënë se lënia e kësaj ministrie qe gati dy muaj pa ministër, është papërgjegjësi dhe paaftësi e qeverisë.

Sipas Haxhiut, mosemërimi i pozitës së ministrit të Shëndetësisë ka mbetur peng i interesave të VV-së dhe koalicionit qeverisës me Lëvizjen Guxo.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu

“Është papërgjegjësi dhe paaftësi e qeverisë, pozita e ministrit të shëndetësisë ka mbetur peng i grupeve të interesit të VV-së me Listën Guxo, derisa sistemi ynë shëndetësor po shkatërrohet, pacientët po përballen me probleme, nuk kanë ku t’i adresojnë problemet”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, ai ka thënë se ikja e mjekëve vjen si pasojë e mungesës së përkrahjes së qeverisë së Kosovës për të përmirësuar sistemin e shëndetësisë.

Ai për dorëheqjen e Latifit ka fajësuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se klanet nepotiste brenda VV-së e kanë detyruar që të ikë nga sistemi i shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë ka mbetë në pozitë të keqe, nuk ka as ministër, çdo ditë po ikin mjekët jashtë vendit, edhe ai ministri që erdhi prej Amerike, edhe ai iku. Nuk pati përkrahje të qeverisë për të përmirësuar sistemin, klanet nepotiste brenda VV-së e detyruan atë që të ikë nga këtu, kur me një pagë 1500 nuk rrin një ministër, si mund të rri një specialist me një pagë 600 euro?”, ka vijuar ai.

Ndërsa për ushtruesen e detyrës së kësaj pozite, ka thënë se nuk ishte në gjendje të ishte prezente në debatin e fundit për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës duke thënë se “ajo nuk mund të përmbush detyrat e një ministri në tërësi”.

Tutje, Haxhiu ka thënë se mungesa e një ministri në sektorin e shëndetësisë sjell shumë dëme.

“Dëmi është i madh në dëm të buxhetit familjar, mungesa e furnizimit me barna dhe listat e gjata të pritjes për operacione po i detyrojnë pacientët të shkojnë në sektor privat”.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj

Zemaj: Qeveria Kurti ka degraduar si me ministër të shëndetësisë si pa të

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj për Portalin Dukagjini ka thënë se si me ministër të shëndetësisë si pa të, “qeveria Kurti ka degraduar”.

Zemaj është shprehur se edhe pse shëndetësia është një sektor mjaft sensitiv, ka pasur një mori dështimesh, si mungesë të resurseve humane, infrastrukturës shëndetësore dhe barnave esenciale.

“Qe sa muaj nuk kemi parë asnjë progres në sektorin e shëndetësisë, është për të ardhur keq që ka lindur dështim pas dështimi, edhe pse është një sektor me një sensitivitet të madh në kuptimin për përkrahjen e resurseve humane, infrastrukturës, barnave”, ka deklaruar Zemaj.

Zemaj ka thënë se është papërgjegjësi e madhe kjo që po bën Qeveria Kurti në lidhje me sektorin e shëndetësisë.

“Logjika qeveritare është që nuk janë të interesuar ta menaxhojnë sektorin e shëndetësisë. Kjo ministri edhe ashtu ska pasur ministër asnjëherë, kur nuk ke vizion dhe program për të menaxhuar, nuk je ministër”, ka vijuar ai.

Dreshaj: Shëndetësia është në kolaps, qeveria duhet ta emërojë sa më shpejt një ministër/re

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se shëndetësia është në gjendje shumë të rëndë dhe siç është shprehur ai “asnjëherë situata në shëndetësi nuk ka qenë më keq sesa është tash”.

Dreshaj ka thënë se kjo situatë e imponon qeverinë e Kosovës që në mënyrë imediate ta caktojë personin përgjegjës që do duhej të bënte veprime aktive për të dalë nga kjo situatë.

“Është bërë intervali kohor prej gati 2 muaj që jemi pa ministër aktual, aq më tepër prej fillimit nuk kemi pasë ndonjë performancë të mirë as në periudhën paraprake të menaxhimit nga ana e këtij ministri në MSh, si duket shëndetësia nuk është prioritet për këtë qeveri”, ka thënë Dreshaj.

Ai ka fajësuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se është një “qeveri e krizave dhe që prodhon vetëm kriza”.

“Qeveria duhet sa më shpejtë të emërojë ministrin e shëndetësisë, shëndetësia është në kolaps”, ka thënë tutje Dreshaj.

Sipas tij, mungesa e ministrit ka shkaktuar ngecje të proceseve në sektorin e shëndetësisë dhe sipas tij nivelet përgjegjëse duhet të mobilizojnë këtë sektor.

Ndryshe, më 8 tetor, ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi kishte dalë me një letër publike për të njoftuar për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë që ishte bërë më 6 tetor.

Ai dha dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë pa i bërë një vit në krye të këtij dikasteri.

Letra e dorëheqjes e Latifit nuk kishte përmendur ndonjë arsye specifike.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës që nga sot më datën 6 tetor, 2022”, thuhej në dorëheqjen e Latifit.

Më 14 shtator, ekzekutivi në krye me Albin Kurtin, ka themeluar një komision ekzekutiv për shëndetësinë.

Ndonëse roli i Latifit si ministër i Shëndetësisë vihej në pikëpyetje, pas krijimit të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, të kryesuar nga kryeministri Kurti, në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ish-ministri Latifi ishte shprehur se kjo nuk e zbeh aspak rolin e tij, përkundrazi e fuqizon.

Kryeministri Kurti me të themeluar këtë komision, tha se gjendja në shëndetësi është tepër e rëndë për ta menaxhuar vetëm ministri.

Ai shtoi se qytetari në rend të parë e ka shëndetin, e sipas tij, nuk do të mungojë përkushtimi personal në asnjë moment.

Ish-ministri, Rifat Latifi, deklaroi se ka qenë i nevojshëm një komitet i tillë.

Ndërkaq, Portali Dukagjini ka pyetur Qeverinë e Kosovës se kur pritet të emërojë ministrin apo ministren e ri/re të Shëndetësisë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika