Agjenti i BIA-s, Aleksandar Vllajiq dënohet me 5 vite burgim për spiunazh
Brenda një afati rekord, Gjykata Themelore e Prishtinës, ka nisur dhe e ka përmbyllur rastin ndaj të akuzuarit Aleksander Vllajiq. Vllajiq i cili për një periudhë të gjatë kishte punuar edhe në policinë e Kosovës, për akuzat për spiunazh e armëmbajtje pa leje, u dënua me 5 vjet burgim e 1 mijë euro gjobë. “Në […]
Brenda një afati rekord, Gjykata Themelore e Prishtinës, ka nisur dhe e ka përmbyllur rastin ndaj të akuzuarit Aleksander Vllajiq.
Vllajiq i cili për një periudhë të gjatë kishte punuar edhe në policinë e Kosovës, për akuzat për spiunazh e armëmbajtje pa leje, u dënua me 5 vjet burgim e 1 mijë euro gjobë.
“Në emër të popullit merr këtë aktgjykim, i pandehuri Aleksander Valliq, është fajtor për veprën penale spiunazhi… dhe veprës penale mbajtja në pronësi e paautorizuar e armëve..”, ka thënë Ngadhnjim Arrni – Gjyqtar.
Këtij vendimi i ka paraprirë marrëveshja për pranimin e fajësisë që është elaboruar në seancën e sotme.
Prokurori fillimisht ka lexuar aktakuzën e ngritur ndaj Vllaijqit, tek tha se i njëjti kishte mbledhur, incizuar dhe transmetuar të dhëna, dokumente dhe materiale që cenojnë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.
“Vllajiq ka mbledhur informacione për persona të nacionalitetit serb të cilët kinse janë bashkëpuntorë të strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës, ka shpalosur identitetin e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI-së), që e kishte mësuar gjatë kohës sa kishte qenë pjesëtar aktiv i Policisë së Kosovës, si dhe kishte krijuar një rrjet informatorësh brenda Organizatave ndërkombëtare në Kosovë të stafit vendor nga komuniteti serb..”, ka thënë Bekim Kodraliu – Prokuror.
Sipas avokatit të të akuzuarit, ai me vullnet të plotë dhe i lirë ka pranuar fajësinë dhe ka hyrë në marrëveshje me Prokurorinë.
“Kemi pasur takim preleminare për pranimin e fajësisë, kemi bërë negociata për arritjen e marrëveshjes dhe në fund është arritur marrëveshja pëe pranimin e fajësisë te cilën e keni para jush dhe kjo marrëveshje është arritur me pjesëmarrjen e kryeprokurorit të prokurorisë speciale siç parashihet me ligj.”, ka thënë Ljubomir Pantoviq – Avokat i Aleksander Vllaiq.
Pas përfundimit të seancës, prokurori Kodraliu ka thënë se vendimi i sotëm, është tregues se BIA serbe ka ende agjentë aktiv, tek la të kuptohet se janë duke hetuar edhe më tutje për këtë.
“Sot është konfirmuar edhe zyrtarisht nga Gjykata që i pandehuri Aleksander Vllaiq ka qenë bashkëpunëtor i BIA-s, dhe veprimet e tij kanë cenuar rëndë rendin kushtetues të Kosovës, zyrtarëve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës, edhe atyre të nacionalitetit serb, që nga veprimet e tij janë cenuar drejtëpërsëdrejti..Më shumë nuk mund të japim informacione sepse jemi duke trajtuar edhe rastet të tjera të shpiunazhit..”, ka thënë Bekim Kodraliu – Prokuror.
Aleksander Vllajiq, është i akuzuar dhe për sulmet ndaj zyrave të KKZ-së, në Mitrovicë të Veriut në 2022. Në këtë rast të akuzuar janë edhe Millun Millenkoviq, dhe ish-policët, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq.















