AGK dënon sjelljen e Kurtit ndaj gazetares: Qasje e papranueshme dhe tentativë për të minuar punën e medieve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj gazetares së Klan Kosovës, Arbëresha Uka, gjatë një deklarimi publik. Sipas AGK-së, gazetarja Uka e ka pyetur Kurtin për mungesën e barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por ai i është përgjigjur me ton arrogant, […]
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj gazetares së Klan Kosovës, Arbëresha Uka, gjatë një deklarimi publik.
Sipas AGK-së, gazetarja Uka e ka pyetur Kurtin për mungesën e barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por ai i është përgjigjur me ton arrogant, duke thënë: “Lej ti albuminat. Thuj pronarit tuaj, televizionit tuaj, le t’ia kthejnë 62 milionë Telekomit”.
AGK vlerëson se një qasje e tillë është e papranueshme dhe përfaqëson përpjekje të hapur për të diskredituar dhe minuar punën e gazetarëve, në vend se të jepet llogaridhënie për çështje me interes publik.
“Asociacioni rikujton se sulme të tilla, të përsëritura nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe përfaqësues të partisë në pushtet, kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes së lirisë së medieve në Kosovë, duke reflektuar në rënie drastike të vendit në indeksin global të lirisë së shtypit”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni kërkon nga zyrtarët publikë që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të përmbahen nga sulmet personale, duke theksuar se përgjegjësia ndaj publikut duhet të qëndrojë mbi çdo interes politik apo partiak.















