Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga zëvendëskryeministrja në detyrë, Donika Gërvalla, kundër Televizionit T7 dhe gazetarit Leonard Kërquki.

Në reagimin e saj publik, AGK-ja e ka cilësuar si “të papranueshme dhe të padinjitetshme” gjuhën ofenduese të përdorur nga Gërvalla, duke theksuar se një sjellje e tillë është e papërshtatshme për një zyrtare të lartë të shtetit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e vlerëson si të papranueshëm dhe të padinjitetshëm për postin që mban, sulmin me gjuhë të ulët të zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla, ndaj Televizionit 7 dhe gazetarit Leonard Kërquki, autor i emisionit Pressing.

AGK-ja dënon ashpër një fjalor të tillë nga një zyrtare e lartë e shtetit, që synon të minojë punën e televizionit dhe gazetarit, në një medium ku ajo vetë ka dhënë intervistë.
AGK-ja i fton zyrtarët e Qeverisë në detyrë dhe përfaqësuesit e partisë shumicë të mandatit të kaluar që të tregohen të përmbajtur në reagimet e tyre publike, duke mos vazhduar me sulme frontale ndaj mediave.
AGK-ja dënon çdo formë dhune dhe mungesë tolerance që manifestohet në transmetimet e drejtpërdrejta të debateve politike”, thuhet në reagimin e AGK-së.