AGK-ja i kërkon presidentes Osmani qëndrim publik për Ligjin e KPM-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të dalë me qëndrim për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, pas miratimit në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar. AGK kërkon nga presidentja Osmani që të formojë qëndrim për këtë ligj dhe sipas tyre, të mos kufizohet në rolin e […]
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të dalë me qëndrim për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, pas miratimit në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar.
AGK kërkon nga presidentja Osmani që të formojë qëndrim për këtë ligj dhe sipas tyre, të mos kufizohet në rolin e saj formal i dekretimit të ligjeve.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po ndjek me interesim reagimet pas miratimit javën e kaluar të Ligjit për KPM-në, nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës” thuhet në njoftimin e AGK-së.
Në njoftimin e tyre, AGK-ja ka theksuar se mediat e lira dhe pluralizmi medial janë thelbësore për shoqëritë demokratike, dhe kërkohet një reagim publik nga presidentja për të mbrojtur këto vlera.
“Mediat e liradhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht. Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”.
AGK-ja dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimet e tyre, duke e vlerësuar ligjin si jo në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës për lirinë e mediave.
Qeveria e Kosovës ka tentuar ta arsyetojë projektligjin e kontestueshëm për mediat, duke theksuar se është një masë e kërkuar prej vitesh nga Bashkimi Evropian.
Në një deklaratë në Facebook, Qeveria e Kosovës ka theksuar se ky Ligj sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në tregun medial.
Qeveria tenton ta arsyetojë projektligjin e kontestueshëm për mediat















