Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës(AGK), ka reaguar pas kërcënim ndaj gazetareve Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli.

Sipas AGK-së ata janë kërcënuar nëpërmjet një profil falsë në Facebook, në të cilin është përdoru gjuhë denigrues.

“Autoret e emisionit KIKS Kosova, Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli, kanë pranuar kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, pas një hulumtimi të bërë në lidhje me këngëtarin Eroll Murati, i cili sipas raportimeve është i përfshirë në mashtrimet me pasaportat sllovene, fajde, si dhe shitjen e makinave të cilat i kishte marrë me qira”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

“Fjalët e përdorura janë tejet shqetësuese meqë përveç ofendimeve dhe gjuhës degraduese, ka përdorur edhe kërcënime të llojit: pak e ki, krejt t rrethekum me evlad kan me ti kall me cka ke…”, thuhet ndër të tjera në emailin e dërguar, ku bëhet e ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.

Sipas AGK-së pas përfundimit të emisionit ku është shfaqur ky hulumtim, ka reaguar edhe vetë personi i apostrofuar në të, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook.

“Kërcënimet e tilla drejtuar gazetarëve janë tejet shqetësuese për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet, dhe ndërmarrë hapat e nevojshëm në mënyrë që personi që fshihet prapa këtij profili të rremë të mbahet përgjegjës”, thuhet në njoftimin e AGK-së.