AGK kërkon nga Policia që ta hetojë sjelljen e mbrojtjes së afërt të Kurtit pas pengimit të gazetares
Gjatë një ngjarjeje publike, një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka shtyrë me dorë gazetaren Blerta Dalloshi Berisha nga TV Klan-i, e cila ishte afruar për t’i bërë pyetje kryeministrit. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar kategorikisht këtë sjellje dhe ka shprehur shqetësimin për sigurinë […]
Gjatë një ngjarjeje publike, një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka shtyrë me dorë gazetaren Blerta Dalloshi Berisha nga TV Klan-i, e cila ishte afruar për t’i bërë pyetje kryeministrit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar kategorikisht këtë sjellje dhe ka shprehur shqetësimin për sigurinë e gazetarëve në vend.
Në një video të publikuar nga gazetarja, duket se ajo po përpiqet të bëjë një pyetje për kryeministrin, kur një pjesëtar i mbrojtjes së afërt e kap nga dora dhe e shtyn.
AGK-ja ka reaguar menjëherë duke kërkuar që Policia e Kosovës të hetojë sjelljen e personit në fjalë dhe nga vetë kiryeministri të dënohet kjo sjellje e papërshtatshme.
AGK-ja gjithashtu ka bërë thirrje për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe sigurinë e gazetarëve, duke theksuar se këto incidente ndikojnë në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë.
“Maltretimi në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë. AGK-ja kërkon nga Policia e Kosovës që të hetojë sjelljen e personit në fjalë, dhe gjithashtu nga kryeministri që të dënojë këtë sjellje dhe të mundësojë që gazetarët të bëjnë pyetjet në interes të publikut”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).















