Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar pas publikimit të raportit vjetor të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova ka shënuar përmirësim në renditjen globale për lirinë e medias.
Sipas AGK-së, ngritja e Kosovës në vendin e 84-të me 55.89 pikë përbën një sinjal pozitiv pas rënies së theksuar një vit më parë, duke reflektuar edhe ndikimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
Sipas reagimit, gazetarët në vend vazhdojnë të përballen me presione politike, fushata denigruese dhe padi strategjike (SLAPP), të iniciuara nga aktorë politikë dhe grupe biznesore.
“Edhe pse gazetarët me sukses punojnë për t’i mbajtur politikanët përgjegjës, ata vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Edhe pse gazetarët e kanë besimin e shoqërisë, mediat e pavarura dhe gazetarët investigativë janë shumë shpesh target i ofendimeve dhe lajmeve të rreme në media sociale. Ata akuzohen pa të drejtë se ‘punojnë për armikun’, një retorikë që përdoret nga grupe politike dhe religjioze”.
AGK ka theksuar se raporti përmend edhe ndërhyrjet politike në media, duke theksuar bojkotin ndaj disa mediave private gjatë vitit 2025 dhe ndikimin e raportuar në transmetuesin publik Radio Televizioni i Kosovës.
Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias