AGK: Rënia në indeksin e lirisë së shtypit, rezultat i qëndrimeve të Qeverisë Kurti ndaj mediave
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, e ka quajtur “shokuese” rënien e Kosovës me 24 vende në indeksin e lirisë së shtypit të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij. Duke folur në emër të Bordit të AGK-së, Rexha deklaroi se kjo rënie është reflektim i qartë i një klime armiqësore […]
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, e ka quajtur “shokuese” rënien e Kosovës me 24 vende në indeksin e lirisë së shtypit të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij.
Duke folur në emër të Bordit të AGK-së, Rexha deklaroi se kjo rënie është reflektim i qartë i një klime armiqësore të krijuar nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje ndaj mediave gjatë vitit të kaluar.
“Në emër të Bordit jemi mbledhur për ta shprehur qëndrimin tonë për rënien alarmuese të Kosovës në Reporterët pa Kufij. 24 vende më poshtë se vitin e kaluar pasi Kosova kishte rënë 19 vende më poshtë. Një rangim shokues, vendi i fundit më së keqi në Ballkan, dhe renditen disa prej arsyeve. Ligji kontestues i KPM-së që e kemi kundërshtuar nga fillimi. Etiketimet se janë bashkëpunëtorë të armikut, dhe të njëjtat po zhvillohen edhe sot. Tjetër element është mungesa e pavarësisë së RTK, siguria e gazetarëve mbetet problem, përmendet në këtë raport, rritja e padive SLAPP, dhe vëzhgimi i paautorizuar i gazetarëve”, ka thënë Rexha.
Kreu i AGK-së vlerësoi se është koha për reflektim dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për të përmirësuar situatën. Ai propozoi formimin e një task force për të adresuar gjetjet e raportit dhe për të garantuar sigurinë e gazetarëve.
“AGK-ja e vlerëson këtë renditje si rezultat, reflektim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar, fushatë e qeverisë së Kosovës, të udhëhequr kunër mediave. Klima e tyre është kundër mediave. Gjuha absolutisht frikësuese që ka kulmuar prej muajit nëntor-dhjetor, me afrimin e fushatës, edhe pas saj. Është momenti i fundit të reflektojmë si shoqëri, AGK-ja është e interesuar dhe bënë thirrje që në fakt të bëhemi bashkë, nëse është e nevojshme duke formuar edhe task-forcë për të adresuar këto gjetje, për të adresuar lirinë e mediave në Kosovë dhe sigurinë e gazetarëve”, ka shtuar Rexha.
Rexha gjithashtu dënoi sulmet dhe targetimet personale ndaj tij dhe AGK-së, që sipas tij janë bërë nga përfaqësues të pushtetit pas publikimit të raportit.
Ai përmbylli duke thënë se, ndonëse në Kosovë ekziston liri e shprehjes, rënia drastike në renditje tregon qartë ndërhyrjet dhe presionet që kanë ndikuar negativisht në këtë liri.
Rexha u bëri thirrje institucioneve të ndalin fushatat ndaj mediave dhe të angazhohen në përmirësimin e klimës për gazetarët.
“Nuk kemi parë asgjë, në maj ndodhte raporti, në korrik ai u miratua. Gjuha që përmendej e papranueshme ndaj gazetarëve, vetëm u përshkallëzuar. Moment i reflektimit është për këdo që ta ndryshojë këtë. VV-ja vetëm duhet të ndalojë së targetuari gazetarët. Jemi të vetëdijshëm që ka liri të shprehjes, luftojnë çdo ditë për të, ajo që raporti vë në pah, e renditja është kaq e ulët për shkak të këtyre ndërhyrjeve”, ka thënë Rexha ndër të tjera.















