Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ashpër ndaj procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), duke e cilësuar atë si të komprometuar dhe në kundërshtim me standardet minimale të transparencës dhe meritokracisë.
AGK-ja ka theksuar se “Lëvizja Vetëvendosje synon”vazhdimin e kapjes së KPM-së nëpërmjet dy ish-anëtarëve që e dëmtuan më herët institucionin”.
Sipas AGK-së, Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar kandidatë që, sipas vendimeve gjyqësore, kanë shkelur ligjin për KPM-në ose njihen për afërsi me pushtetin, çka rrezikon pavarësinë e institucionit dhe besueshmërinë publike.
AGK thekson se procesi është zhvilluar me nxitim, brenda vetëm dy ditëve pune, me mungesë të theksuar metodologjie, transparence në vlerësim dhe trajtim jo të barabartë të kandidatëve.
Po ashtu, deputetët akuzohen për mungesë serioziteti gjatë intervistave dhe për votim anonim pa arsyetim për pikët e dhëna.
AGK kërkon që procesi të ndalet dhe të rikthehet në pikën zero, duke paralajmëruar se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë negativisht në lirinë e medias në Kosovë.