Ahmeti: Presim që Kosova të përfshihet në agjendë për anëtarësim në Këshill të Evropës

Kreshnik Ahmeti, Zëvëndësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti thotë se po lobojnë që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës të përfshihet në agjendën e mbledhjes së radhës të KiE-së.

Ai deklaron se janë duke punuar me shtetet aleate që të njëjtit të binden se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se kushti jozyrtarë për Asociacionin i përket dialogut të Brukselit.Ai në një intervistë për KosovaPress, flet edhe për masat ndëshkuese të BE-së, ndaj Kosovës dhe politikën e jashtme të Kosovës.

“Do duhej të kishte (hapa për anëtarësimin e Kosovës në KiE) dhe jo vetëm që Kosova e kërkon, por, sepse tashmë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e kërkon. Prandaj, ne presim që Kosova të bëhet anëtare sa më shpejtë dhe në anën tjetër edhe po lobojmë që shtetet anëtare të binden për këtë…(Asociacioni) Kjo është përmendur si një kusht jo zyrtar, siç e kanë quajtur edhe ata vet nga një numër i shteteve, sepse nuk ka mundur të bëhet kusht zyrtar, sepse nuk ka të bëjë me Këshillin e Evropës.Pra, legjislacioni i Kosovës në përputhje me konventën relevante të Këshillit të Evropës për këtë çështje jep mundësinë që komunat të bëjnë Asociacionin, pra, si një OJQ, ashtu siç tashmë kemi dhe askush nuk e ndalon këtë. Prandaj, nuk mund të bëhet kusht për Këshillin e Evropës.. Kushti nuk është thjesht që dërgohet një dokument në Gjykatë Kushtetuese, sepse shpeshherë po tentohet të paraqitet kështu, pra gjatë kohës kur diskutohej, kur ishte më aktuale kjo temë, është e qartë që ky kusht i vonshëm e jo zyrtar, ka qenë dhe mbetet për disa prej tyre që drafti të pranohet nga Qeveria e Kosovës zyrtarisht në mënyrë që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese e për Gjykatën Kushtetuese të jetë i pranueshëm. Pra, nuk përkon kjo me Këshillin e Evropës, kjo çështje i përket dialogut”, thekson ai.

Ahmeti komenton edhe deklaratën e emisarit gjerman, Manuel Sarrazin, i cili ditë më parë tha se po të kishte zbatuar Kosova kohë më parë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, tashmë do të ishte në Këshill të Evropës.

Sipas tij, kjo deklaratë është paqartë, pasi cili do të ishte dallimi përmbajtjesor nëse vendimi i kushtetueses do të zbatohej gjashtë muaj më herët apo më vonë, përderisa çështja ka qenë që nga viti 2016. Ai e sheh shqetësuese edhe mesazhin që jepet dhe mundësitë e kushtit të ri jozyrtarë të Asociacionit, që dikush mund ta vlerësojë si të vonuar tashmë në implementim.

“Nuk e kuptova deklaratën e Sarrazin se çfarë dallimi përmbajtjesor do të përbente gjashtë muaj më herët apo gjashtë muaj më vonë, përderisa çështja ka qenë që nga viti 2016. Në anën tjetër cili është mesazhi edhe për kushtin e ri jozyrtar të asociacionit që dikush mund ta vlerësojë si të vonuar tashmë në implementim”, thekson Ahmeti.

Krahas kësaj, ai konsideron të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese të BE-së, ndaj Kosovës pas konstituimit të strukturave të reja në BE.

“Do duhej të kishte diçka konkrete tashmë, sepse qysh në fillim ato kanë qenë të gabuara dhe kjo është vërtetuar në mënyrën më të hapur me rastin e sulmit terrorist, agresionit të Beogradit në Banjskë, se kush ka qenë pala përgjegjëse për tensionimin e situatës në veri. Tashmë kemi një deklarim të Borrell që kushtet duhet të largohen të gjitha menjëherë dhe është e pakuptueshme pse ato ende janë aty. Do duhej të ishte më së shpejti vendimi ndoshta në përfundim të mandatit aktual të komisionit, apo në rastin më të keq në vendimet e para të mandatit të ri të komisionit të BE-së. Por, gjithsesi këto kushte nuk i kanë kontribuar aspak situatës në rajon në përgjithësi, sepse porosia që është dërguar përveç se të padrejta në vetvete, ka qenë që agresori nuk sanksionohet por ai që është shënjestër e atij agresioni duhet të sanksionohet, që është porosi jashtëzakonisht e gabuar”, shton ai.

Sa i përket punës së politikës së jashtme gjatë këtij mandati katër vjeçar, Ahmeti thotë se është bërë një hap i madh në diplomaci.

Sipas tij, kritikat mossigurimin e njohjeve të reja dhe mos anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare janë të pasinqerta.

“Sinqerisht nuk e kuptoj këtë kritikë, sepse ne kur erdhëm në qeverisje ishin dy çështje të mëdha në politiken e jashtme. Së pari ishte diskutimi që e gjetëm për shkëmbimin territorial, që sot është i vdekur. Është një përparim jashtëzakonisht i madh dhe e dyta për organizata ndërkombëtare ishim në moratorium. S’kishim të drejtë të aplikonim askund. Në rast se ju kujtohet pak para se të skadonte ky moratorium kishte presion prej vendeve partnere që ky të vazhdojë dhe të mbahet status-qou që të ketë sukses dialogu.

Për shkak të lobimit tonë kaloi moratoriumi dhe nga ai moment Kosova është anëtarësuar në dhjetë organizata ndërkombëtare. S’është që s’jemi anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Kosova aplikoi në Bashkimin Evropian. Kosova përmbylli sukses liberalizimin e vizave, po ashtu edhe në rrafshe bilateriale. Kosova aplikoi në Këshill të Evropës, në kuptimin multilateral ka pasur një përmbysje të asaj situate negative që e kishim dhe pastaj një sukses. Ka pas avancim me shumë shtete për të cilat nuk është mirë për t’i përmendur. Më e hapura ka qenë me Greqinë. Gjatë këtij mandati e ngritëm statusin e zyrës sonë, që nuk ishte një ngritje formale por edhe raportet përmbajtjesore u bën mes ministrive”, thotë ai.

Krahas këtyre, Ahmeti deklaron se politika e jashtme po zhvillohet mirë dhe se ka koorndim me presidenten Osmani, pavarësisht dallimeve që janë shfaqur së fundmi në mes të parës së vendit dhe kryediplomates, Donika Gërvalla.

Shija e redaktorit

Haradinaj bën homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit: Ishte ndër...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti në Prishtinë në ditëlindjen...

BE dorëzon progres-raportin, Rama: Dokumenti më i mirë ndërkombëtar për...

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë se plani për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit...

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

Të fundit nga rubrika