Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ka thënë se ky përvjetor duhet të shërbejë si moment reflektimi për rrugën e shtetit dhe për të ardhmen e tij.
Ahmeti ka theksuar se për shumë vite shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë nuk janë ndier pjesë e barabartë e shtetit, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi historike dhe model të paqëndrueshëm shtetëror.
Sipas tij, viti 2001 ishte përballje me këtë realitet, ndërsa Marrëveshja e Ohrit ndryshoi mënyrën e funksionimit të shtetit.
“Shqiptarët nuk kërkuan shtet tjetër. Përkundrazi, u zotuan se do ta ndërtojnë bashkë këtë shtet”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit e zhvendosi vendin nga logjika e dominimit të shumicës drejt parimeve të bashkëjetesës, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët.
Ahmeti ka thënë se rezultatet e Marrëveshjes së Ohrit nuk i përkasin vetëm një komuniteti apo një partie, por janë pjesë e transformimit të vetë shtetit.
“Marrëveshja e Ohrit e forcoi shtetin unitar duke e bërë atë më demokratik. E bëri më të qëndrueshëm duke e bërë më gjithëpërfshirës. Dhe krijoi një bazë mbi të cilën vendi vazhdoi rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.
Kreu i BDI-së ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë, përjashtimin në përfaqësim, pengesat në përdorimin e gjuhëve dhe mospërfshirjen në kulturë e në jetën publike.
“Sepse shtetet nuk dobësohen nga barazia. Shtetet dobësohen kur qytetarët e tyre fillojnë të ndihen të përjashtuar”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka përsëritur se Maqedoninë e Veriut e sheh si shtet të të gjithë qytetarëve, unitar, demokratik dhe evropian, të ndërtuar mbi barazinë dhe respektin e ndërsjellë.
Në fund, Ahmeti ka bërë thirrje që të ruhet ajo që është ndërtuar ndër vite dhe vendi të vazhdojë përpara.
“Ta ruajmë atë që kemi ndërtuar së bashku dhe ta çojmë përpara. Të mos kthehemi te politikat që ndajnë, por të ecim drejt një shteti që bashkon”, ka shkruar ai.
Ai ka uruar 35-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e përmbyllur mesazhin me: “Përpara, bashkë!”.