Ahmeti takon Osmanin: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë vënë në shënjestër nga një bosht hibrid politik-oligarkik
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është takuar sot në Prishtinë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Ahmeti u shpreh mirënjohës për mikpritjen dhe vlerësoi lart rolin e presidentes Osmani në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në skenën ndërkombëtare. “Sot, gjatë vizitës sime në Prishtinë, pata […]
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është takuar sot në Prishtinë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ahmeti u shpreh mirënjohës për mikpritjen dhe vlerësoi lart rolin e presidentes Osmani në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Sot, gjatë vizitës sime në Prishtinë, pata kënaqësinë të pritem nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, me të cilën zhvilluam një takim të ngrohtë dhe substancial. Diskutuam për zhvillimet politike në vendet tona, sfidat rajonale dhe rëndësinë jetike të bashkëpunimit të ngushtë në funksion të paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik.
Shpreha mirënjohjen time për mikpritjen e Presidentes Osmani dhe vlerësova lart rolin e saj udhëheqës në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Njëkohësisht, shpreh mbështetjen për procesin zgjedhor dhe krijimin sa më të shpejtë të institucioneve në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Gjatë takimit, Ahmeti ngriti shqetësime lidhur me situatën politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut, duke e përshkruar atë si një përkeqësim të rrezikshëm për shqiptarët.
Sipas tij, shqiptarët janë bërë shënjestër e një “boshti hibrid politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike” që synon të zhbëjë themelet e Marrëveshjes së Ohrit.
“Në këtë kontekst, nënvizova shqetësimin tim të thellë për përkeqësimin serioz të situatës politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët janë vënë në shënjestër nga një bosht hibrid politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike dhe me një përfaqësim të inxhinieruar politik. Shqiptarët sot po përballen me një ofensivë të rrezikshme që ka për synim zhbërjen e shtyllave të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një instrument partiak, që po anulon themelet e barazisë – si përdorimi i gjuhës shqipe dhe mekanizmat mbrojtës si balancuesi dhe badenteri. Kjo përbën një shkelje flagrante të barazisë ndëretnike dhe rrezikon themelet e bashkëjetesës që kemi ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë.
Gjithashtu, theksova se dosja evropiane është lënë pas dore, duke devijuar nga rruga e integrimit dhe vlerave të përbashkëta. Për herë të parë, ide të rrezikshme që vënë në pikëpyetje karakterin shumetnik dhe unitar të shtetit, ashtu siç parashihet në Marrëveshjen e Ohrit, po gjejnë vend në diskursin politik publik.
Këto zhvillime kërkojnë vigjilencë, unitet dhe veprim të koordinuar për të mbrojtur të arriturat tona historike dhe për të garantuar të ardhmen evropiane të qytetarëve tanë”, ka shtuar Ahmeti.















