“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim të energjisë krijuese të mësuesve në çdo skaj të Kosovës.
Për këtë nismë, Akademia Dukagjini organizoi ceremoninë përmbyllëse e ku qendra e zhvillimit “Agim Lluka” u mbush përlotë me pjesëmarrës të mësimdhënësve, drejtuesve të institucioneve arsimore dhe miq e dashamirës të arsimit.
Nisma shënon një faqe të re në historinë e arsimit të Kosovës, pasi mësuesit nga përfitues përmes trajnimeve të ndryshme, u shndërruan në kontributorë.
Ceremoninë e nisi drejtori ekzekutiv i Akademisë Dukagjini, Blerim Muhaxhiri.
““Praktikat që keni prezantuar gjatë tërë këtyre muajve nuk do të mbesin vetëm në këtë sallë ato do të botohen dhe do të shpërndahen në të gjitha shkollat e Kosovës në mënyrë që të shërbejnë si model, si frymëzim si udhërrëfyes i tyre praktik në punën e tyre të përditshme”, u shpreh Muhaxhiri.
Pas Muhaxhirit, u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër për këtë rrugëtim.
Rreth përfitimeve që i morën nga programi folën edhe mësimdhënësit.
“Në këtë frymë unë pata kënaqësinë të ndaj një metodë një praktikë të suksesshme e quajtur “Gjashtë kapelat e Edurardo Debanos” dhe me të thënë të drejtën ajo qasje inovative ju pëlqeu të gjithëve sepse është e kohës relevante”, u shpreh mësimdhënësja, Donjetë Latifaj.
E, profesori Bardhyl Musai vlerësoi lartë këte nismë dhe angazhimin e Akademisë Dukagjini.
“Sot, Kosova ka bërë përparime të dukshme, shkollat janë më të struktuara, mësuesit më të përgatitur, sistemi më i qëndrueshëm por në të njëjtën kohë nuk mund të jemi plotësisht të kënaqshëm sepse arsimi nuk është një fushë që e njeh vetëkënaqësi”, u shpreh Musai.
Pjesëmarrësve iu ndanë edhe certifikata. Ndërkohë që kjo nismë u vlerësua se potenciali dhe energjia ekzistojnë, kur krijohet hapësira e duhur.
“Përmes praktikës sime që kam ndarë që ka qenë lidhur me zhvillimin e njohurisë arsimore përmes praktikimit, duke falenderu Akademinë Dukagjini për nismën e zhvilluar ka qenë diçka që përveç që kemi shkëmby edhe informata”, deklaroi mësimdhënësi, Granit Çeku.
“Për mua ka qenë nder dhe kënaqësi me marr pjesë në këtë nismë kaq të fuqishme të mësimdhënësve të mbarë Republikës së Kosovës të organizuar nga Akademia Dukagjini”, deklaroi Nazlije Latifaj, mësimdhënëse.
“Një rrugëtim i suksesshëm dhe përfitim mjaft i madh në karrierë sepse kemi marrë dhe dhënë praktike të ndryshme duke aplikuar vetë në klasë”, u shpreh mësimdhënësja, Sebahate Sopjani.
Praktikat e prezantuara do të botohen dhe do u shpërndahen të gjithë mësuesve të Kosovës. Për më tepër, përmes një kodi QR mund të lexohet prezantimi nga telefoni ose skaner.
Nisma do të zhvillohet e përvitshme duke u shndërruarr në traditë të qëndrueshme, përmes së cilës, mësuesit mësojnë nga njëri-tjetri, frymëzojnë njëri-tjetrin, mbështesin njëri-tjetrin dhe rriten së bashku.