Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka dhënë përkrahjen e saj për marshin protestues në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe ish-krerëve të saj.
Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka ftuar të gjitha bizneset t’i bashkohen marshit, teksa ka thënë se ai nuk ka ngjyrë politike, por ngjyrë lirie.
“Ne si Aleancë Kosovare e Biznesit i kemi dhënë mbështetjen tonë marshit të 2 prillit me emrin ‘Liria ka emër’. I ftoj të gjitha bizneset e vendit, të cilët dje ishin pjesë e luftës dhe sot janë pjesë e lirisë, t’i bashkohen kësaj proteste masovike, në mënyrë që ta çojmë mesazhin se liria ka vërtet emër”.
“Njerëzit tanë padrejtësisht mbahen në burgje të ndryshme me akuza të pabëra, por drejtësia i qet në shesh të gjitha. Ne mburremi me luftën dhe luftëtarët tonë. Ky marsh nuk ka ngjyrë politike, ka ngjyrë lirie, ngjyrë demokracie, drejtësie”, u shpreh Shahini për EO.
Ndërsa njëra nga organizatoret e këtij marshi, njëherësh edhe deputete e PDK-së, Eliza Hoxha, falënderoi për përkrahjen e AKB-së dhe e vlerësoi lart atë.
“Për ne është shumë domethënëse që akterë të shumtë që janë nën ombrellën e AKB-së ta mbështesin marshin tonë dhe të na ndihmojnë në realizimin e synimit kryesor që është aktiviteti që e kemi me datën 2 prill në orën 14:00, që të gjithë të solidarizohemi për çlirimtarët që janë në Hagë”, tha ajo.
Marshi është organizuar nga platforma me emrin e njëjtë “Liria ka emër”, dhe vjen si shenjë proteste për gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre në Hagë.