Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka rezultuar me arrestimin e Vezir Hazirajt, i dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, pas tetë ditësh në arrati.
Sipas Policisë së Kosovës, AKI-ja ka luajtur “rol kyç në operacionin për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit”, duke qenë aktive dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me njësitet policore gjatë gjithë periudhës së kërkimit.
Rasti kishte ndodhur më 7 gusht, rreth orës 20:50, në fshatin Orroberdë të Istogut, ku një person ishte plagosur me armë zjarri. Viktima fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas në QKUK në Prishtinë.
Në njoftim të policisë thuhet se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ndërsa hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë kishin nisur kërkimet intensive për kapjen e tij. Me autorizim të prokurorit të shtetit ishte kërkuar edhe bashkëpunimi i qytetarëve për lokalizimin e të dyshuarit.
Të shtunën, më 15 gusht, Sektori Rajonal për Hetime ka zbatuar një plan operacional në bashkëpunim me njësitet e nivelit qendror të Policisë së Kosovës, përfshirë “NJSI/FIT, Njësinë e Vëzhgimit dhe njësi të tjera”, ndërsa në operacion ka qenë e përfshirë edhe AKI-ja.
Sipas njoftimit, pasi ka parë se nuk kishte mundësi të largohej, “Vezir Haziraj është dorëzuar”, ndërsa operacioni ka përfunduar pa incidente.