AKKVP: Nuk ka padrejtësi ndaj familjes Janiçijeviq, qysh më 2005 është konfirmuar pronari i ligjshëm
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të zëdhënësit në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, lidhur me një rast pronësor në veri të Kosovës. AKKVP i ka cilësuar pretendimet e Petkoviqit si “të pavërteta dhe të rrezikshme”, duke theksuar se ato përbëjnë një përpjekje për politizim […]
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të zëdhënësit në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, lidhur me një rast pronësor në veri të Kosovës.
AKKVP i ka cilësuar pretendimet e Petkoviqit si “të pavërteta dhe të rrezikshme”, duke theksuar se ato përbëjnë një përpjekje për politizim dhe dezinformim të opinionit publik.
Sipas agjencisë, bëhet fjalë për rastin e pronës së familjes Ferki Shipolli, i cili është trajtuar dhe përfunduar qysh në vitin 2005. Në atë kohë është vërtetuar se familja Shipolli është poseduesi i ligjshëm i pronës në fjalë.
“Rasti në fjalë, që përfshin pronën e familjes Ferki Shipolli, është trajtuar që në vitin 2005, ku është vërtetuar se pala është poseduese e ligjshme e pronës. AKKVP zbaton vendime përfundimtare të institucioneve ligjore në përputhje me mandatin dhe kornizën ligjore në fuqi. Rikthimi i pronës bëhet përmes procedurave të rregullta ligjore dhe zbatohet ndaj çdo uzurpimi të paligjshëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo statusit të palës”, thuhet në reagimin e AKKVP-së.
Agjencia vlerëson se deklaratat e tilla si ajo e Petkoviqit janë të papranueshme, sepse nxisin tensione ndëretnike dhe minojnë sundimin e ligjit dhe bashkëjetesën në vend.
















