Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku një grua ka mbetur pa shenja jete.
Ngjarja tragjike u regjistrua rreth orës 07:40, në kilometrin e 26-të të kësaj rruge, ndërsa lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën “Ibrahim Rugova” në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Kelani.
